“I drejtë dhe i fortë”/ Drejtori i policisë bashkiake Shkodër Rrustemi, mesazh të birit në ditën e parë të shkollës

Një mesazh të veçantë, ka zgjedhur të përcjellë drejtori i policisë bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi, në ditën e parë të shkollës për djalin e tij i cili sot nisi rrugëtimim drejt dijes. Rrustemi ka ndarë në rrjetet sociale një letër…

Një mesazh të veçantë, ka zgjedhur të përcjellë drejtori i policisë bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi, në ditën e parë të shkollës për djalin e tij i cili sot nisi rrugëtimim drejt dijes.

Rrustemi ka ndarë në rrjetet sociale një letër publike për të birin, ku krahas urimit për nisjen e shkollës, i jep edhe disa këshilla për jetën, drejtësinë, karakterin dhe përgjegjësinë.

Në mesazhin e tij, drejtori i policisë bashkiake e sheh veten jo vetëm si baba, por edhe si drejtues policie, qytetar dhe besimtar, duke i kërkuar të birit të rritet me parime, të respektojë çdo njeri dhe të mos e përdorë forcën pa mëshirë.

Statusi i plotë i Rrustemit:

Sot është dita jote e parë e klasës së parë, biri im!

Për ty nis një rrugëtim i ri, ndërsa për mua nis një nga sfidat më të bukura si baba, të të mësoj të ecësh vetë, duke të dhënë disa këshilla që dua t’i mbash me vete gjatë gjithë jetës.

Ji i drejtë, edhe kur është më e lehtë të heshtësh!

Si baba, dua të jem krenar për njeriun që do të bëhesh. Si drejtues policie, dua të kuptosh se drejtësia dhe autoriteti janë përgjegjësi, jo privilegj. Si qytetar, dua të kontribuosh për një shoqëri ku dinjiteti dhe e drejta vlejnë njësoj për të gjithë. Dhe si besimtar, dua të mos harrosh se përgjegjësia fillon aty ku nuk të sheh askush, përveç ndërgjegjes dhe Zotit.

Respekto çdo njeri! Mos e mat askënd nga rrobat, prejardhja apo bindjet e tij! Të jesh ndryshe nuk do të thotë të jesh më pak i denjë për respekt.

Ji i fortë, por mos u bëj i pamëshirshëm! Forca e vërtetë është të dish kur të luftosh për të drejtën dhe kur të tregosh mëshirë.
Mëso të mendosh vetë! Mos ndiq turmën vetëm sepse është turmë. Dhe kur të gabosh, mos ki frikë të ngrihesh përsëri.
Shkolla do të të mësojë shumë gjëra. Jeta edhe më shumë.

Por unë dua që, para gjithçkaje, të mësosh të jesh një njeri i drejtë, i ndershëm, i dobishëm për të tjerët dhe besnik ndaj parimeve të tua.


Sepse profesionin mund ta zgjedhësh vetë.
Por karakterin do ta ndërtosh çdo ditë.
Ec përpara, biri im.

Babi do të jetë gjithmonë aty, jo gjithmonë për të ta hapur rrugën, por për të të kujtuar si duhet të ecësh në të.

lajme të ngjashme