28 Shtator, 2026
BE ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç / Po në Shqipëri, a duhet ky vendim?
Një hap i ri i Bashkimit Europian për mbrojtjen e fëmijëve në internet ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje që prek edhe mijëra familje shqiptare: sa vjeç duhet të jetë një fëmijë për të pasur llogari në rrjetet…


Një hap i ri i Bashkimit Europian për mbrojtjen e fëmijëve në internet ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje që prek edhe mijëra familje shqiptare: sa vjeç duhet të jetë një fëmijë për të pasur llogari në rrjetet sociale dhe kush duhet ta kontrollojë këtë?
Komisioni Europian ka miratuar më 17 shtator 2026 propozimin e njohur si EU KIDS Act, që synon të vendosë rregulla të përbashkëta për mbrojtjen e të miturve në platformat online.
Sipas propozimit, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të kenë llogari në rrjetet sociale, ndërsa për moshat 13 deri në 15 vjeç parashikohet një llogari e kufizuar, e krijuar dhe e administruar nën kontrollin e prindit, me kufizime edhe në kohën e përdorimit.
Nga mosha 15 vjeç, të rinjtë do të mund të menaxhojnë llogaritë e tyre.
Rregullat e propozuara shkojnë përtej moshës. Platformat do të duhet të vendosin masa sigurie që në projektimin e shërbimeve, duke kufizuar mekanizma si scroll-i pa fund, njoftimet gjatë orarit të gjumit dhe elementët që nxisin përdorimin e tepruar.
Profilet e të miturve duhet të jenë private si parazgjedhje dhe të kufizohet kontakti i padëshiruar nga persona të panjohur.
Por për Shqipërinë, problemi është edhe më konkret.
Të dhënat e raportit kombëtar të iSIGURT.al tregojnë se gjatë vitit 2024 u raportuan 407 incidente serioze online, rreth 67% më shumë se një vit më parë.
Raportimet lidhen me dhunë dhe bullizëm online, cenim të privatësisë dhe forma të tjera të rrezikut në hapësirën dixhitale.
Pra, ndërsa Europa ndaloi dhe detyrii platformat që të verifikojnë moshën e përdoruesve, në Shqipëri mbetet një realitet i njohur për shumë prindër.
Një fëmijë mund të vendosë një datëlindje të rreme dhe të hapë llogari në platforma sociale shumë më herët se mosha e lejuar nga vetë platformat.
Institucionet shqiptare e kanë evidentuar prej vitesh këtë problem. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ka paralajmëruar se grupmosha 10–14 vjeç është veçanërisht e ekspozuar ndaj rreziqeve online dhe ka këshilluar prindërit të mos lejojnë profile personale të fëmijëve në platforma si Facebook, Instagram, Snapchat apo TikTok.
Nëse Europa po shkon drejt një modeli ku përgjegjësia nuk i lihet vetëm prindit apo fëmijës, por vendoset edhe mbi vetë platformat, a duhet Shqipëria të ndjekë të njëjtën rrugë?
Në fakt, debati nuk është thjesht nëse një 11- apo 12-vjeçar duhet të ketë Instagram, TikTok, Snapchat apo një tjetër rrjet social.
Çështja është kush e verifikon moshën, kush kontrollon përmbajtjen që i shfaqet fëmijës dhe kush mban përgjegjësi kur një i mitur përballet me bullizëm, shantazh, abuzim apo kontakt nga persona të panjohur.
Në Shqipëri ekzistojnë mekanizma institucionalë për raportimin dhe trajtimin e rasteve të rrezikut online, ndërsa ligji parashikon mbrojtjen e fëmijëve edhe nga dhuna dhe abuzimi online.
Por zhvillimi i shpejtë i platformave dhe mënyra se si fëmijët i përdorin ato e bëjnë gjithnjë e më të vështirë që kontrolli të mbështetet vetëm te prindi.
BE ka zgjedhur të vendosë moshën dhe përgjegjësinë e platformave në qendër të debatit.
Shqipërisë i mbetet një pyetje për t’iu përgjigjur, a do të presë që këto rregulla të bëhen standard europian, apo do të nisë më herët diskutimin për një mbrojtje më të fortë të fëmijëve shqiptarë online?
Një tjetër pyetje është po aq e rëndësishme, a mund të funksionojë një kufizim moshe nëse platformat nuk janë të detyruara ta verifikojnë realisht moshën e përdoruesit?












