28 Shtator, 2026
OSHISH anulon tenderin për hemodializën në 5 spitale, mes të cilëve edhe Shkodra / Anulimi pas dyshimeve se OSHISH favorizoi në tender
Është anuluar zyrtarisht procedura e prokurimit me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qytete të vendit. Bëhet fjalë për tenderin për shërbimin e hemodializës në qendrat e ngritura pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës,…


Është anuluar zyrtarisht procedura e prokurimit me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qytete të vendit.
Bëhet fjalë për tenderin për shërbimin e hemodializës në qendrat e ngritura pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, me kohëzgjatje 48 muaj.
Procedura është zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a., tashmë me emërtimin Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH) sh.a., shoqëri me pronësi publike nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të regjistrit, shoqëria është themeluar më 15 janar 2026 dhe ka status aktiv e pronësi publike.
Fondi limit i tenderit është 4 miliardë e 591 milionë e 430 mijë e 480 lekë, ndërsa procedura është publikuar më 17 gusht 2026, me afat për dorëzimin e ofertave deri më 1 shtator.
Në garë mori pjesë vetëm një operator ekonomik, kompania suedeze Diaverum AB.
Më 10 shtator, autoriteti kontraktor e shpall Diaverum AB fituese të procedurës. Në dokumentacionin e tenderit evidentohet se bëhet fjalë për të vetmin operator pjesëmarrës në garë duke ngritur dyshime për favorizim.
Por procedura nuk përfundon me lidhjen e kontratës sepse tashmë tenderi është anuluar zyrtarisht.
Në sistemin e prokurimit, statusi i procedurës figuron “Anuluar Procedura”, ndërsa arsyeja zyrtare e anulimit është, “Procedura është anuluar për shkak të konstatimit të gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit.”
Pra, pavarësisht se më herët ishte shpallur një fitues, kontrata nuk rezulton e lidhur dhe procedura tashmë është kthyer në pikën e anulimit për shkak të problemeve të konstatuara në dokumentet e tenderit.
Tenderi është shoqëruar gjithashtu me dy “Red Flag” (Flamuj të Kuq) të evidentuara nga Open Procurement Albania.
Sinjali i parë lidhet me numrin e operatorëve pjesëmarrës. Në garë ka vetëm një kompani, Diaverum AB, e cila më pas shpallet edhe fituese. Platforma e evidenton këtë si një element që kërkon vëmendje të shtuar lidhur me konkurrencën në procedurë.
Sinjali i dytë lidhet me afatin e shkurtuar për përgatitjen e ofertave.
Në dokumentet standarde të tenderit parashikohet një afat prej vetëm 15 ditësh për pranimin e ofertave.
Autoriteti kontraktor e justifikon këtë shkurtim me urgjencën për garantimin e vazhdimësisë së shërbimit të hemodializës, i cili konsiderohet shërbim shëndetësor esencial dhe jetik.
Në arsyetim përmendet përfundimi i kontratës ekzistuese, koha e kufizuar për zhvillimin e procedurës së re dhe mundësia që procedura të zgjatej për shkak të ankesave.
Megjithatë, Open Procurement Albania e evidenton edhe këtë element si Flamur i Kuq, duke ngritur shqetësimin se një afat i tillë mund të kufizojë kohën në dispozicion të operatorëve për përgatitjen e ofertave teknike dhe dokumentacionit për një kontratë të përmasave të tilla.
Procedura ka një fond limit prej 4 miliardë e 591 milionë e 430 mijë e 480 lekësh dhe parashikon një marrëveshje kuadër 48-mujore.
Në këtë mënyrë një tender me vlerë miliarda lekë, i zhvilluar me vetëm një ofertues dhe e shoqëruar me dy sinjale risku nga Open Procurement Albania, përfundon me anulim zyrtar për shkak të “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.
Anulimi e bën tashmë të rëndësishme të sqarohet se cilat janë konkretisht gabimet apo mangësitë e konstatuara në dokumentet e tenderit dhe nëse autoriteti kontraktor do të rishikojë kriteret dhe kushtet e procedurës për një tender të ri.
Në të njëjtën kohë, mbetet në fokus edhe fakti se një kontratë e parashikuar për katër vite dhe me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë përfundon me vetëm një ofertë në garë, përpara se procedura të anulohet.
Deri në këtë fazë, dokumentacioni zyrtar i publikuar përcakton si arsye të anulimit gabimet ose mangësitë e rëndësishme në dokumentet e tenderit por dyshimet për korrupsion janë të forta.












