28 Shtator, 2026
Anulimi i tenderit të hemodializës / Deputeti i PD Spahia: Ministrja e Shëndetësisë Spahiu të bëjë transparencë, janë 50 mln euro
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka kërkuar transparencë të plotë nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, lidhur me anulimin e tenderit për shërbimin e hemodializës në pesë spitale rajonale mes të cilëve ai shërbim duhet të ofrohet edhe në…


Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka kërkuar transparencë të plotë nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, lidhur me anulimin e tenderit për shërbimin e hemodializës në pesë spitale rajonale mes të cilëve ai shërbim duhet të ofrohet edhe në spitalin e Shkodrës.
Spahia ngre pikëpyetje mbi arsyet e anulimit të procedurës, e cila kishte vetëm një ofertues dhe ku fituese ishte shpallur kompania Diaverum AB me një ofertë prej 4.44 miliardë lekësh pa TVSH.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, deputeti kërkon që ministria të bëjë publike dokumentet dhe përfundimet e auditimit, duke kërkuar të sqarohet se cilat ishin “gabimet ose mangësitë e rëndësishme” që çuan në anulimin e procedurës, kush i hartoi dhe miratoi dokumentet dhe nëse përgjegjësia është individualizuar.
Spahia rikthen edhe pyetjet e ngritura prej tij në interpelancën parlamentare të 17 shtatorit, ku ministrja Spahiu deklaroi se do të priste përfundimet e auditimit përpara se të merrte vendimet përkatëse.
Statusi i plotë i Bardh Spahisë:
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duhet të bëjë transparencë të plotë për anulimin e tenderit të hemodializës me vlerën prej 50 milionë euro.
Kjo procedurë, që lidhet me një shërbim jetik për pacientët në pesë spitale rajonale, u zhvillua me vetëm një ofertues.
Më 10 shtator u shpall fituese Diaverum AB, me një ofertë prej 4,44 miliardë lekësh pa TVSH. Më pas procedura u anulua, ndërsa shpjegimi i publikuar kufizohet te konstatimi se dokumentet e tenderit përmbanin «gabime ose mangësi të rëndësishme».
Në interpelancën e seancës së 17 shtatorit, pyetjeve të ngritura nga ana ime, ministrja ju përgjigj duke thënë se do të priste përfundimet e auditimit për të marrë vendimet e duhura.
Më shumë se një javë më pas, publiku ende pret të mësojë cilat ishin gabimet apo shkeljet, kush i miratoi dokumentet dhe çfarë ka konstatuar auditimi, e kujt është përgjegjësia?
Nuk mundet t’u hidhet hi syve shqiptarëve me një justifikim kaq të përgjithshëm për anulimin e tenderit që kushton dhjetëra miliona euro nga taksat e tyre dhe ka një rëndësi jetike për mijëra të tjerë.
Zonja Ministre, ju duhet të sqaroni publikisht se si u përgatit dhe u mbyll një procedurë prej rreth 50 milionë eurosh, si u shpall fitues operatori, i vetëm pjesëmarrës dhe vetëm më pas u zbuluan mangësi kaq të rëndësishme sa të kërkonin anulimin?
Cilat janë konkretisht këto mangësi dhe në cilën fazë duhej të ishin konstatuar ato?
A ishte anulimi pasojë e një kontrolli të dokumentuar apo në fakt ai synon rihapjen e një procedure të re për të ndryshuar operatorin fitues?
Kush mban përgjegjësi për hartimin dhe miratimin e dokumenteve: drejtuesit e autoritetit kontraktor, përfshirë drejtoreshën që larguat nga detyra vetëm një ditë pasi erdhët në drejtimin e Ministrisë, apo do t’ia faturoni ndonjë zyrtari të thjeshtë?
A është anulimi i tenderit një fakt, një justifikim sepse qëllimi është për t’ia kaluar një operatori tjetër ekonomik të lidhur me Sani Sanilevich, miku i Roni Yeffet dhe Edi Ramës?
Zonja Ministre, ju keni detyrimin t’i bëni publike vendimin e arsyetuar të anulimit, dokumentet ku janë identifikuar gabimet, përgjegjësit për to, përfundimet e auditimit dhe planin që garanton vazhdimësinë e hemodializës për pacientët.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë ndodhi me këtë tender dhe kush do të mbajë përgjegjësi.
Heshtja tregon se ju po i shërbeni vetëm një agjende, shndërrimin e Shëndetësisë nën modelin KAYO në dorë të interesave okulte dhe personale të Edi Ramës.












