28 Shtator, 2026
Hysaj: Në kombëtare duan që të më japin fundin shumë vetë / Mbrojtësi shkodran flet pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë
Pas fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë të Nations League, mbrojtësi shkodran Elsaid Hysaj foli për të ardhmen e tij, Kombëtaren dhe momentin që po kalon në karrierë. Hysaj, i cili me 101 ndeshje është lojtari…


Pas fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë të Nations League, mbrojtësi shkodran Elsaid Hysaj foli për të ardhmen e tij, Kombëtaren dhe momentin që po kalon në karrierë.
Hysaj, i cili me 101 ndeshje është lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares shqiptare, pranoi se ende nuk e di se ku do të vijojë karrierën në nivel klubesh, ndërsa zbuloi se objektivi i tij kryesor ishte një formë e mirë për ndeshjet e shtatorit me kuqezinjtë e kombëtares.
Hysaj në fitoren ndaj Bjellorusisë ishte lojtari më i mirë i ndeshjes bashkë me Ernest Muçin i cili shënoi golin e dytl ndërsa të parin e realizoi Asllani me penallti.
Deklarata e Hysaj pas ndeshjes:
Mendojnë se po më vjen fundi. Duan që të më japin fundin shumë vetë, por duhet të tregosh se e meriton Kombëtaren duke dhënë më të mirën.
E kam thënë gjithmonë që Kombëtarja ka qenë një ëndërr për mua. Ta mendosh se ku e kam filluar dhe ku jam tani është fantastike për mua.
Objektivi im në fakt ishte shtatori, për të luajtur ndeshjet me Kombëtaren dhe për të treguar një paraqitje pozitive.
Po koncentrohem që të jem në formë të mirë sportive dhe të gjej një ofertë të mirë, sepse merkatoja ka qenë e rrëmujshme deri tani dhe po pres momentin e duhur.
Se di as vetë se në cilin ekip do të shkoj, çfarë t’ju them kur nuk e di as vetë. I thashë Presidentit Duka: ‘Ma bëj një kontratë këtu dhe të qëndroj’ (qesh).
Stërvitjen e kam bërë me Vllazninë deri tani, por në fundjavë kam dalë me familjen dhe dy ditë kam pushuar. Siç duket, kjo paska qenë shiringa e duhur për të qenë në formë të mirë.
Jemi gjithë të lumtur, gjithë të kënaqur. Më pëlqen pozitiviteti që ka sjellë trajneri i ri në skuadër.












