28 Shtator, 2026
Bjanku: U keqinterpretua / “Dukagjini dhe Velipoja kanë qytet Shkodrën” / “Qyteti nuk krijohet vetëm me emërtim”
Anëtari i Këshillit Bashkiak Florjan Bjanku ka reaguar pas disa akuzave ndaj tij në këshill dhe rrjete sociale lidhur me deklaratën e tij kundër reformës territoriale dhe kundër emërtimit të Dukagjinit dhe Velipojës si qytete. Anëtari i PD që votoi…


Anëtari i Këshillit Bashkiak Florjan Bjanku ka reaguar pas disa akuzave ndaj tij në këshill dhe rrjete sociale lidhur me deklaratën e tij kundër reformës territoriale dhe kundër emërtimit të Dukagjinit dhe Velipojës si qytete.
Anëtari i PD që votoi kundër dhënies së pëlqimit për reformën e re territoriale ku bën pjesë edhe Shkodra, tha se Dukagjini dhe Velipoja kanë qytet Shkodrën duke vijuar idenë e tij kundër këtij emërtimi.
Bjanku, duke iu përgjigjur akuzave se kjo deklaratë lidhet me një paragjykim të tij krahinor, një gjë të tillë e kundështoi edhe në mbledhjen e këshillit.
Ndërkohë edhe në këtë reagim në rrjete sociale Bjanku sqaron se nga pikëpamja urbane, qyteti nuk krijohet vetëm me emërtim administrativ. Ai lidhet me dendësinë e banimit, infrastrukturën, shërbimet, veprimtarinë ekonomike dhe lidhjet e përditshme mes banorëve.
Reagimi i plotë i profesor Bjankut:
Shkodra, qyteti ynë i përbashkët: a kemi nevojë për emërtim apo përfaqësim?
Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak po diskutohej projekti i ri për reformën administrative-territoriale dhe po kërkohej mendimi i Këshillit për Shkodrën. Unë fola për decentralizimin fiskal, autonominë vendore, përfaqësimin dhe nevojën për rajonet si nivel i dytë i qeverisjes.
Mendimi im ishte se reforma e propozuar nuk i zgjidh problemet e Bashkisë Shkodër. Disa pjesë të fjalës u keqinterpretuan, me dashje ose pa dashje, dhe u shkëputën nga konteksti i diskutimit.
Velipoja dhe Dukagjini, aty ku u krijua një situatë debati të panevojshëm, në opinionin tim, e kanë qytetin e tyre dhe ai është Shkodra. Këto zona kanë qenë historikisht pjesë e Shkodrës dhe e historisë së saj. Qendra e lidhjeve administrative, ekonomike, kulturore dhe shoqërore ka qenë Shkodra. Kjo lidhje është formuar edhe përmes historisë së veçantë të tyre, si dhe lëvizjeve e migrimeve të popullsisë, sidomos gjatë periudhave të pushtimeve.
Banorët e zonave nga Thethi deri në Velipojë kërkojnë dokumente pronësie, rrugë, qendra shëndetësore, investime, leje ndërtimi dhe shërbime. Për këto nevoja duhet qeverisje më e afërt me territorin dhe përfaqësim real. Edhe nga pikëpamja urbane, qyteti nuk krijohet vetëm me emërtim administrativ. Ai lidhet me dendësinë e banimit, infrastrukturën, shërbimet, veprimtarinë ekonomike dhe lidhjet e përditshme mes banorëve.
Përtej gjithë kësaj ajo që ka më shumë rëndësi, a janë pyetur banorët për këtë propozim? A e kanë kërkuar ata apo jo? A ekziston ndonjë kërkesë konkrete nga komunitetet? Nga sa di, është organizuar vetëm një takim i përgjithshëm në Kinema “Republika” për të marrë mendime për ndarjen e re administrative territoriale, e unë nuk kam dëgjuar një propozim të tillë.
Nëse banorët e këtyre zonave kërkojnë një status të veçantë qyteti, sepse Shkodra nuk mjafton, duhet të dëgjohen. Zëri i tyre ka më shumë vlerë se mendimi i kujtdo, sado mirë ta njohë qeverisjen vendore.
Unë jam profesionist dhe në këtë rast s’e shoh veten si politikan. Mendimi im në mbledhje ishte profesional: reforma duhet të sjellë më shumë autonomi, përfaqësim dhe shërbime, jo vetëm emërtime.
Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë: a kemi nevojë për emërtim apo përfaqësim? Përgjigjja duhet të vijë nga vetë banorët.
Po e bashkëlidh artikullin tim të botuar në revistën Monitor në tetor 2025, ku këtë shqetësim e kam ngritur më herët, nga Velipoja në Theth…












