15 Nëntor, 2026
Protesta / Eurodeputetja italiane: Të mos i lëmë të rinjtë vetëm / “Qeveria e Ramës ka zgjedhur represionin”
Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen për të rinjtë që prej muajsh kanë dalë në rrugë në protesta kundër qeverisë. Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, në kuadër të diskutimeve…


Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen për të rinjtë që prej muajsh kanë dalë në rrugë në protesta kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, në kuadër të diskutimeve për progres-raportin e Shqipërisë, Salis u ndal te kërkesat e protestuesve, të cilët sipas saj kërkojnë një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, ku të kenë mundësi të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet.
“Një Shqipëri ka shumë zëra që nuk janë dëgjuar. Të rinjtë që kanë dalë në rrugë kërkojnë një Shqipëri të lirë, pa korrupsion, ku të mund të studiojnë dhe të punojnë me dinjitet”, deklaroi eurodeputetja.
Salis kritikoi edhe mënyrën se si, sipas saj, autoritetet shqiptare janë përballur me protestat, duke akuzuar qeverinë se në vend që të dëgjojë kërkesat e të rinjve, ka zgjedhur represionin dhe përdorimin e gazit lotsjellës.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për propozimin e vendosjes së gjobave deri në 5 mijë euro ndaj protestuesve, duke kërkuar që të rinjtë shqiptarë të mos lihen vetëm.
“Të mos i lëmë këta të rinj vetëm. Lufta e tyre është lufta juaj. Situata duhet të përmirësohet. Duhet të dëgjojmë zërat e protestuesve në Shqipëri dhe t’u japim atyre hapësirë”, u shpreh Salis.
Deklarata e eurodeputetes italiane vjen në një moment kur protestat në Shqipëri dhe kërkesat e të rinjve për ndryshim kanë marrë vëmendje edhe në institucionet europiane.












