15 Nëntor, 2026
Banorët: Po doli Kiri shkon deri në qendërntë Shkodrës / Lumi gërryen argjinaturën, banesat në rrezik
Argjinatura e lumit Kir në Shkodër po pëson dëmtime, duke shtuar shqetësimin dhe frikën e banorëve të lagjes “3 Heronjtë”, të cilët thonë se janë të rrezikuar nga përparimi i ujit dhe gërryerja e vazhdueshme e brigjeve të lumit. Sipas…


Argjinatura e lumit Kir në Shkodër po pëson dëmtime, duke shtuar shqetësimin dhe frikën e banorëve të lagjes “3 Heronjtë”, të cilët thonë se janë të rrezikuar nga përparimi i ujit dhe gërryerja e vazhdueshme e brigjeve të lumit.
Sipas banorëve, dëmtimi i argjinaturës është një problem i përsëritur, për të cilin kanë ngritur shqetësimin disa herë pranë Bashkisë Shkodër, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete. Situata, sipas tyre, është përkeqësuar, ndërsa frika më e madhe lidhet me periudhën aktuale me reshje të dendura, kur prurjet e lumit Kir shtohen dhe niveli i ujit rritet.
Nga kjo problematikë preken disa familje që jetojnë pranë lumit dhe që ndihen të pasigurt për banesat dhe pronat e tyre. Banorët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërhyhet në kohë, dëmtimi mund të përshkallëzohet, duke krijuar pasoja më të rënda për zonën.
Për familjet që jetojnë në këtë zonë, ndërhyrja në argjinaturën e dëmtuar është një domosdoshmëri për të mbrojtur banesat dhe sigurinë e tyre. Kjo situatë përsëritet çdo vit sa herë nisin reshjet e shiut përgjatë vjeshtës dhe dimrit.












