14 Nëntor, 2026
Shkodrani i Gjermanisë që i shënoi gol Serbisë: Fanellën do ta ruaj si kujtim / Ja çfarë më tha Klopp
Të luash për kombëtaren e Gjermanisë është një ëndërr e madhe. I vetmi shqiptar që ia ka dalë deri më tani ishte Shkodran Mustafi madje duke u shpallur edhe kampion bote ndërsa numëron 20 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.…


Të luash për kombëtaren e Gjermanisë është një ëndërr e madhe. I vetmi shqiptar që ia ka dalë deri më tani ishte Shkodran Mustafi madje duke u shpallur edhe kampion bote ndërsa numëron 20 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.
Shkodrani Brajan Gruda bëhet i dyti që realizon këtë ëndërr të madhe duke veshur fanellën e kombëtares gjermane. I lindur në një familje shkodrane futbollistësh, sulmuesi bëri një hap të madh të karrierës së tij.
Një gjë e tillë disa vite më përpara as nuk mund të imagjinohej. Gruda, një talent që po tregon vlerat, si sulmues me shumë të ardhme i fitoi menjëherë zemrën trajnerit të madh Jurgen Klopp.
Është një debutim që vështirë mund të harrohet për futbollistin shqiptar, Brajan Gruda. Në përballjen e Gjermanisë me Serbinë, ai u aktivizua si titullar, kontribuoi në fitoren e skuadrës dhe arriti të shënojë gol, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment të veçantë të karrierës së tij.
Në intervistën e dhënë për mediat gjermane pas ndeshjes, Gruda u shpreh i lumtur jo vetëm për golin, por edhe për mundësinë që iu dha për të luajtur që nga minuta e parë dhe për fitoren e arritur.
“Jam shumë i lumtur sot që munda të luaj që nga fillimi dhe që fituam ndeshjen. Kjo më bën të lumtur, bashkë me golin dhe përpjekjen që bëra në fushë”, deklaroi Gruda.
I pyetur për porositë që kishte marrë nga trajneri përpara takimit, futbollisti tregoi se kërkesa kryesore kishte qenë të luante lirshëm, por njëkohësisht të tregonte më shumë angazhim në fazën mbrojtëse dhe në përballimin e presingut kundërshtar.
“Trajneri më tha që thjesht të luaja lirshëm, por se duhej të punoja më shumë në fazën defensive dhe kundër presingut. Më dha një ndjenjë shumë të mirë dhe mendoj se kjo u pa qartë edhe në fushë”, tha futbollisti.
Gruda u ndal edhe te goli i shënuar ndaj Serbisë, duke treguar se si u zhvillua aksioni. Pas pasimit të Jamal Musialës, ai vuri re hapësirën e krijuar dhe vendosi ta shfrytëzonte, duke përfunduar aksionin me sukses.
“Jamal luajti topin dhe unë pashë që kisha shumë hapësirë. Thjesht e shfrytëzova atë hapësirë. U habita pak që kundërshtarët nuk më dolën përpara siç duhet dhe më pas gjuajta”, tregoi Gruda.
Një tjetër moment i veçantë për të ishte edhe fanella e ndeshjes, të cilën vendosi ta ruajë si kujtim të debutimit dhe golit të shënuar.
“Fanellën e parë natyrisht do ta mbaj për vete. Do ta ruaj mirë”, u shpreh ai.
Për Brajan Grudën, përballja me Serbinë do të mbetet një mbrëmje e madhe, ku debutimi si titullar, fitorja dhe goli u bashkuan në një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij deri më tani.
Gjermania e fitoi 3-1 këtë përballje ndërsa Gruda shënoi golin e tretë duke sjellë një gëzim të madh për shkodranët në veçanti të cilët janë tifozë të thekur të kombëtares gjermane por duke bërë krenar mbarë shqiptarët.
Edhe pse nuk zgjodhi kombëtaren shqiptare, prania e tij në formacionin e Gjermanisë, katër herë kampione e botës, është një krenari për çdo shqiptar.












