Babai iu vra nga serbët në Banjskë / Djali i Afrim Bunjakut mes lotësh bën betimin në policinë e Kosovës

Kosova vazhdon të nderojë kujtimin dhe sakrificën e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Tre vite pas asaj ngjarje të rëndë djali i Afrim…

Kosova vazhdon të nderojë kujtimin dhe sakrificën e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Tre vite pas asaj ngjarje të rëndë djali i Afrim Bunjakut, Jetlum Bunjaku bëri betimin duke u bërë pjesë e policisë së Kosovës dhe duke ndjekur rrugën e babait të tij të ndjerë.

Mes lotësh, Jetlumi në këtë moment të veçantë dhe plot dhimbje, përqafoi nënën dhe vëllain e tij të vogël ndërsa salla mes një ndjenje të fortë, duartrokiti duke përjetuar emocione të mëdha.

Bunjaku u vra në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, pasi njësiti i tij policor u zu në pritë nga një grup i armatosur rëndë dhe i organizuar terrorist serb, teksa po hetonte bllokimin e një ure me kamionë pa targa.

Nga ky sulm mbeti i plagosur edhe një polic tjetër, ndërsa reagimi i shpejtë dhe profesional i Policisë së Kosovës parandaloi një plan më të gjerë për destabilizimin e veriut të vendit.

Për aksionin e tij vetëmohues dhe guximin e treguar në mbrojtje të integritetit territorial, Afrim Bunjaku u shpall “Hero i Kosovës” nga Presidentja Vjosa Osmani.

Sot, institucionet shtetërore, kolegët dhe mbarë opinioni publik e kujtojnë atë jo vetëm si një zyrtar të përkushtuar ligjzbatues, por si një simbol të qëndresës dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Familja dhe bashkëfshatarët e tij në Samadrexhë të Vushtrrisë shprehen krenarë që emri i tij tashmë është shkruar me shkronja të arta në historinë e re të vendit.

Ndërkohë, drejtësia kosovare po vazhdon procesin gjyqësor ndaj grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, ku aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale i ngarkon ata me vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe akte terroriste.

lajme të ngjashme