“Beogradi vendi im” / Ndahet nga jeta Xhevat Prekazi, gjeniu shqiptar i futbollit që pushtoi Beogradin dhe Stambollin, por që Kosovën nuk e deshi kurrë

Vdekja e Xhevat Prekazit ka rikthyer në vëmendje figurën e një prej futbollistëve më të talentuar shqiptarë të historisë së futbollit të ish-Jugosllavisë. Një emër që shkëlqeu te Partizani i Beogradit, Hajduku i Splitit dhe Galatasaray, por që përtej fushës…

Vdekja e Xhevat Prekazit ka rikthyer në vëmendje figurën e një prej futbollistëve më të talentuar shqiptarë të historisë së futbollit të ish-Jugosllavisë.

Një emër që shkëlqeu te Partizani i Beogradit, Hajduku i Splitit dhe Galatasaray, por që përtej fushës së blertë la pas edhe deklarata të forta për Kosovën, vendin ku kishte lindur, por me të cilin thoshte se nuk e lidhte më asgjë duke thënë se “Beogradi është vendi im. Kam lindur në Mitrovicën e Ish Jugosllavisë. Kombëtaren e Kosovës nuk e shoh kurrë”.

Xhevat Prekazi u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare, në Beograd, qytetin ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Lindi më 18 gusht 1957 në Mitrovicë dhe shumë herët u largua drejt kryeqytetit serb, që 17 vjeç, ku do të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme futbollistike.

Prekazi ishte një futbollist me talent të rrallë, teknikë të jashtëzakonshme dhe një armë të veçantë, goditjet e forta dhe të sakta nga distanca. Ai konsiderohet ndër futbollistët më të spikatur shqiptarë që kanë luajtur në futbollin jugosllav.

Karrierën e nisi te Remonti i Mitrovicës, përpara se në moshë fare të re të transferohej te Partizani i Beogradit.

Me fanellën bardhezi u shndërrua në një prej emrave të rëndësishëm të klubit, duke fituar tri herë titullin kampion të Jugosllavisë, në vitet 1976, 1978 dhe 1983.

Më pas kaloi te Hajduku i Splitit, ku fitoi Kupën e Jugosllavisë në vitin 1984. Në atë edicion ishte edhe një prej dy golashënuesve më të mirë të kompeticionit.

Por kulmi i famës së tij ndërkombëtare do të vinte në Turqi, aty ku Xhevat Prekazi u kthye në një emër të dashur për tifozët e Galatasarayt.

I transferuar në Stamboll në vitin 1985, ai u bë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës turke. Me Galatasarayn fitoi dy tituj kampionë dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit.

Një prej momenteve më të veçanta të karrierës së tij ishte supergoli ndaj Monacos në Kupën e Kampionëve, një goditje spektakolare që e ktheu në një nga emrat më të kujtuar të futbollit turk. Prekazi mbetet një figurë e respektuar në historinë e Galatasarayt, ku emri i tij është nderuar edhe në Stamboll.

Në historinë e futbollit shqiptar të ish-Jugosllavisë, Xhevat Prekazi dhe Fadil Vokrri mbeten dy prej talenteve më të mëdhenj shqiptarë. Ata i përkasin një periudhe kur futbolli jugosllav, veçanërisht nga vitet 1964 deri në vitin 1990, gëzonte reputacion të madh në Europë dhe në botë.
Deri këtu, pjesa sportive e Xhevat Prekazit.

Xhevat Prekazi lindi në një familje shqiptare në Mitrovicë, në vitin 1957 por shumë herët u largua drejt Beogradit, fillimisht për një jetë më të mirë dhe për të ndjekur karrierën futbollistike. Atje ndërtoi jetën, krijoi familjen dhe qëndroi deri në fund të jetës së tij.

Por përtej suksesit sportiv, Prekazi ishte edhe një personazh që me deklaratat e tij publike krijoi jo pak polemika, sidomos për raportin me Kosovën dhe identitetin e tij kombëtar.

“Po, unë shqiptar jam dhe këtë nuk e mohoj dot. Kam lindur në Mitrovicën e ish-Jugosllavisë.

Por Beogradi është qyteti dhe shteti im.
Përsa i përket Kosovës, me të nuk më lidh kurgjë prej shumë vitesh.

Kërkush prej andej nuk më shkruan e as nuk më telefonon prej kohësh dhe sigurisht edhe unë bëj të njëjtën gjë.

Ndihem mirë në Beogradin tim dhe ndihem shumë herë më tepër serb sesa shqiptar, unë dhe familja ime.

Kosova më rri ngushtë dhe kurrë nuk e ndjeva atë, kurrë dhe asnjëherë ajo nuk më ngjiti.

Futbollin e Kosovës nuk e ndjek dhe nuk kam kurrfarë interesi për të.

Për luftën… sigurisht që më erdhi keq për atë çfarë ndodhi, por unë jam njeri i sportit dhe jo analist lufte.

E di që në Kosovë nuk më duan dhe madje më quajnë tradhtar e bashkëpunëtor të Serbisë. Nuk di çfarë të them, punë e tyre.
Nuk kam qenë prej shumë herët në Prishtinë dhe pas gjithë këtyre as që kam ndërmend të shkoj.”

lajme të ngjashme