28 Shtator, 2026
Denoncimi nga vajza / “Shoferi në Shkodër aksidenton të moshuarën dhe ikën duke e lënë në rrugë të madhe”
Një shtetase nga Shkodra ka denoncuar në Shkodra Live se si para një muaji një shofer ka aksidentuar nënën e saj të moshuar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë në rrugë të madhe. Pas lajmit për…


Një shtetase nga Shkodra ka denoncuar në Shkodra Live se si para një muaji një shofer ka aksidentuar nënën e saj të moshuar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë në rrugë të madhe.
Pas lajmit për mbi 2200 gjoba të vendosura nga policia rrugore në qarkun e Shkodrës, në redaksinë tonë ka mbërritur ky reagim nga shtetasja Arjeta Thana, e cila tregoi këtë ngjarje që i ndodhi një muaj më përpara.
Kjo shtetase, thotë se nëna e saj është përplasur nga një automjet, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë të moshuarën të shtrirë në rrugë duke mos u ndalue as për t’i dhënë ndihmën e parë dhe as për të njoftuar të paktën një autoambulancë.
Në mesazhin, qytetarja shpreh mbështetjen për kontrollet dhe gjobat e vendosura nga policia rrugore, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga drejtuesit e automjeteve.
“Ju lumtë dora policisë që gjobit shoferët, se e meritojnë. Ma ka shkelur mamin tim makina në rrugën e Shtojit para një muaji dhe nuk është ndalur shoferi. Bravo policisë dhe djemve të rinj të policisë, ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë”, shkruan ajo në mesazhin e dërguar.
Rasti i saj vjen në një kohë kur policia rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore të qarkut, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe mjeteve inteligjente, duke synuar evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.
Për qytetarët, kontrollet në rrugë nuk lidhen vetëm me vendosjen e gjobave, por edhe me sigurinë e këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Historia e Arjeta Thanës është një tjetër dëshmi e shqetësimit që shkaktojnë aksidentet rrugore, veçanërisht kur drejtuesit largohen nga vendi i ngjarjes dhe familjarët mbeten në pritje të identifikimit të autorit.
Kjo tregon papërgjegjshmërinë e lartë të shoferëve në Shkodër por edhe më gjërë, të cilët shpesh herë kur shkaktojnë aksidente largohen nga vendi i ngjarjes duke lënë aty të plagosurit apo shpesh edhe kur mbesin viktima.












