28 Shtator, 2026
Policia e Shkodrës “mbyt” shoferët / Mbi 2200 gjoba në vetëm dy javë
2268 gjoba janë vendosur nga policia rrugore e Shkodrës gjatë dy javëve të fundit, në kuadër të kontrolleve të zhvilluara në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut. Pjesa më e madhe e masave, 1295, lidhen me parkimin apo qëndrimin…


2268 gjoba janë vendosur nga policia rrugore e Shkodrës gjatë dy javëve të fundit, në kuadër të kontrolleve të zhvilluara në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut.
Pjesa më e madhe e masave, 1295, lidhen me parkimin apo qëndrimin e gabuar të automjeteve, ndërsa 368 të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Kontrollet kanë evidentuar edhe shkelje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë rrugore. Janë ndëshkuar 237 drejtues për tejkalim të normave të shpejtësisë, 102 për parakalime të gabuara dhe 80 për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia ka vendosur gjithashtu 37 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, 104 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 36 për qarkullimin me xhama të riveshur.
Në fokus kanë qenë edhe drejtuesit që konsumojnë alkool. Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 9 masa për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike.
Kontrollet kanë sjellë edhe masa më të rënda. Dy persona janë arrestuar dhe tre drejtues mjetesh janë proceduar penalisht për drejtim të parregullt të automjeteve, ndërsa 9 leje drejtimi janë pezulluar.
Për monitorimin e qarkullimit, efektivët kanë përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me kontrolle të shtrira në të gjitha akset e qarkut të Shkodrës.
Sipas policisë rrugore, kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me fokus te shpejtësia, parakalimet, drejtimi nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit, rripi i sigurimit dhe shkeljet e tjera që rrezikojnë sigurinë në rrugë.
Policia u kërkon drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.












