Samir Mane në SPAK për dosjen “Balluku” / Hetuesit verifikojnë vilën në Palasë dhe transaksionet

Biznesmeni Samir Mane është paraqitur këtë mbrëmje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “Balluku”. Mane ka mbërritur në SPAK rreth orës 18:00, ndërsa paraqitja e tij vjen në një ditë kur hetuesit…

Biznesmeni Samir Mane është paraqitur këtë mbrëmje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “Balluku”.

Mane ka mbërritur në SPAK rreth orës 18:00, ndërsa paraqitja e tij vjen në një ditë kur hetuesit kanë vijuar marrjen në pyetje të personave të lidhur me çështjen.

Më herët gjatë ditës janë marrë në pyetje edhe Alban dhe Olsi Eftimi, përfaqësues të studios “Atelier 4”.

Në qendër të hetimit është vendosur vila luksoze në Palasë, e cila është sekuestruar nga SPAK dhe për të cilën prokurorët po kryejnë verifikime lidhur me një marrëdhënie të dyshuar me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Hetimi po shtrihet në dokumentacionin që lidhet me projektin dhe realizimin e pronës, ndërsa në vëmendjen e prokurorëve janë edhe komunikimet elektronike, pagesat, preventivët dhe dokumente të tjera financiare apo teknike.

Një tjetër element që po verifikohet është lidhja e këtyre të dhënave me kompleksin “Green Coast”, në kuadër të hetimeve për të sqaruar marrëdhëniet dhe transaksionet mes personave dhe subjekteve të përfshira.

Paraqitja e Samir Manes në SPAK pritet të jetë pjesë e këtyre verifikimeve, ndërsa hetimi vijon dhe nuk ka ende një përfundim të tij.

lajme të ngjashme