Tragjedia e elektricistit / Banorët; Faji i shtetit, linja 40 vite e amortizuar

Në një shtyllë elektrike, në fshatin Bardhaj në Shkodër, mori fund tragjikisht jeta e 34-vjeçarit Angjelin Nika. Elektricisti që doli për të kryer punën e tij, por që nuk u kthye më pranë familjes. Mbrëmjen e së hënës, ai ishte…

Në një shtyllë elektrike, në fshatin Bardhaj në Shkodër, mori fund tragjikisht jeta e 34-vjeçarit Angjelin Nika. Elektricisti që doli për të kryer punën e tij, por që nuk u kthye më pranë familjes.

Mbrëmjen e së hënës, ai ishte thirrur nga disa familje që kishin mbetur pa energji elektrike. Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes për riparimin e një defekti, elektricisti dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Ai u dërgua në spital por fatkeqësisht pa shenja jete.

Sot, në Bardhaj, pranë vendit ku ndodhi tragjedia, banorët flasin me dhimbje për humbjen e tij. Por mes keqardhjes dhe ngushëllimeve, ata ngrenë një shqetësim që, sipas tyre, prej vitesh është lënë pas dore, rrjeti elektrik i amortizuar.

Linjat janë mbi 40-vjeçare, thonë banorët, të cilët kërkojnë investime dhe zëvendësimin e tyre, për të shmangur rreziqet dhe për të mos lejuar që infrastruktura e vjetër të kthehet në kërcënim për jetën.

Shkodra Live ishte në vendin e ngjarjes, aty ku shtylla elektrike mbetet dëshmi e një tragjedie që ka tronditur komunitetin por edhe më gjerë.

Angjelin Nika ishte vetëm 34 vjeç, duke lënë pas bashkëshorten e cila pritet të bëhet nënë për pak kohë si dhe një dhimbje të madhe për të gjithë familjen.

Shkodra Live i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Nika.

Ky rast dhe shumë të tjerë duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi për institucionet shtetërore në mënyrë që ngjarje kaq të rënda të mos përsëriten më.

lajme të ngjashme