26 Tetor, 2026
Vllaznia në boks drejt shkrirjes / E turpshme për Federatën e boksit, KOKSH dhe Ministrinë e Sporteve
Vllaznia në boks po përjeton ditët më të vështira të saj. Skuadra kuqeblu e cila ka dominuar në mënyrë absolute boksin në rang kombëtar por me rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare, është në prag të shkrirjes. Vitet e…


Vllaznia në boks po përjeton ditët më të vështira të saj. Skuadra kuqeblu e cila ka dominuar në mënyrë absolute boksin në rang kombëtar por me rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare, është në prag të shkrirjes.
Vitet e fundit Vllaznia është luftuar me të gjitha mënyrat më të padrejta të mundshme për t’i rrëmbyer titullin kampion.
Kulmi arriti në kampionatin kombëtar që u zhvillua pak ditë më parë në Tiranë.
Kampionati i boksit për dy ditë me radhë u kthye në një skenë rrugaçërie me praninë e personazheve të krimit të cilët bënin presione ekipeve si Vllaznia dhe ekipeve të tjera për të mos fituar ndeshjet dhe titullin kampion. Kryesisht këtë situatë të papranueshme e krijoi ekipi i Partizanit.
Dita e ndeshjeve finale u anullua nga Federata Kombëtare e Boksit për shkak të dhunës fizike dhe presioneve të panumërta kriminale ndaj boksierëve dhe arbitrave, këta të fundit u tërhoqën.
Të gjitha këto i denoncoi kryetrajneri i Vllaznisë Zef Gjoni i cili kërkoi zhvillimin e një kampionati të rregullt me praninë e policisë por asnjë masë nuk u ndërmor duke arritur në anulimin e ndeshjeve finale, si rrallë ndonjëherë.
Federata e boksit po bëhet gati që ndeshjet finale t’i zhvillojë por Vllaznia pritet që të mos marrë pjesë sepse ndeshja e Kristian Demaj është totalisht e e njëanshme duke i shkaktiar humbjen e pamerituar.
Po ashtu Vllaznia edhe pse ka tre finalistë, ka informacione të sigurta se ndeshja e Ani Haxhillarit pritet që të ketë të njëtin fat si ajo e Kristian Demaj, vetëm për të mos lejuar që Vllaznia të fitojë titullin kampion që e meriton plotësisht.
Për shkak të kësaj situate që vijon prej vitesh dhe tashmë kulmoi në këtë kampionat, kryetrajneri i Vllaznisë Zef Gjoni është tërhequr nga drejtimi i ekipit.
Tekniku Gjoni që pas anulimit të ndeshjeve finale nuk ka dalë në stërvitje me ekipin. Pritet që trajneri Zef Gjoni të japë dorëheqjen përfundimtare nga Vllaznia.
Nëse Gjoni dorëhiqet, kjo do të thotë se automatikisht Vllaznia në boks shkrihet plotësisht se dy trajnerët e tjerë Lazarin Vila dhe Jetmir Kuçi kanë deklaruar se edhe ata dorëhiqen duke mos e vijuar më punën e tyre tek Vllaznia e boksit.
Shkrirja e Vllaznisë në boks do të ishte një keqardhje dhe një humbje e madhe për boksin shkodran dhe atë shqiptar.
Një ekip elitë, me shumë rezultate të larta brenda dhe jashtë vendit detyrohet që të shkrihet për shkak të padrejtësive të vazhdueshme.
Vllaznia fitoi titullin kampion 27 herë në këto 36 vite duke qenë ekipi absolut në këtë sport.
Po ashtu Vllaznia prodhoi dhjetra boksier cilësor si Artur Gavoçi që mban rekordin kombëtar me 15 tituj kampion, Besnik Limani, Sokol Buliqi, Sead Bushati, Artur Drini, Sulejman Dashi, Kristian Dema, Blerim Alija, Arjon Kajoshi, Kristian Shytani, Feliks Kruja, Bekim Vjerdha apo edhe Besnik Gjetja që zhvilloi ndeshjen e parë të boksit profesionist në Shqipëri për t’u ndjekur nga Jetmir Kuçi në arenën profesioniste dhe tashmë Nelson Hysa që vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare. Të gjithë këto emra i përkasin periudhës të pas viteve ’90.
Të shuhet e gjithë kjo histori e mbushur me lavdi është e turpshme për Federatën Shqiptare të Boksit, për Komitetin Olimpik Shqiptar apo edhe për Ministrinë e Sporteve të cilët sa janë në kohë duhet që ta ndalojnë dhe të gjejnë rrugën e përbashkët me Vllazninë dhe gjitha ekipet e tjera për të siguruar një kampionat të drejtë, të pastër, pa presione, pa dhunë dhe të ndershëm sipas rregullave dhe normave sportive.
Duke shpëtuar Vllazninë nga shkrirja e saj, keni shpëtuar veten nga turpi që do t’ju mbulojë dhe nga kjo njollë e zezë që nuk do t’ju hiqet asnjëherë në historinë e sportit shqiptar. Do të mbaheni mend si autorët e turpshëm që shkatërruat Vllazninë, një ekip elitë i boksit shqiptar.












