Reagon PD Vau Dejës / Votimi pro reformës territoriale nga anëtarët e PD qëndrim personal, jemi kundër asaj reforme”

Partia Demokratike në Vau Dejës ka reaguar pas votimit në Këshillin Bashkiak, ku katër këshilltarë të opozitës mbështetën në parim projektvendimin për Reformën Administrativo-Territoriale, duke bashkuar votat me shumicën socialiste. Përmes një qëndrimi zyrtar, kryesia e degës së PD-së në…

Partia Demokratike në Vau Dejës ka reaguar pas votimit në Këshillin Bashkiak, ku katër këshilltarë të opozitës mbështetën në parim projektvendimin për Reformën Administrativo-Territoriale, duke bashkuar votat me shumicën socialiste.

Përmes një qëndrimi zyrtar, kryesia e degës së PD-së në Vau Dejës sqaron se është kundër reformës së propozuar nga Partia Socialiste dhe thekson se vota pro e këshilltarëve demokratë nuk përfaqëson qëndrimin politik të degës, por është një vendim individual për të cilin ata mbajnë përgjegjësi personale.

Në reagimin e saj, PD Vau Dejës nënvizon se linja politike e degës përcaktohet nga strukturat drejtuese dhe nuk mund të ndryshojë nga votimet individuale të përfaqësuesve të saj në këshillin bashkiak.

Ditën e sotme kryetari i këshillit bashkiak të Vau Dejësit Ervis Shima bëri të ditur votimin në parim për reformën duke falenderuar anëtarët demokrat që e votuan pro duke bashkuar votat me PS dhe PSD.

Reagimi i plotë i PD Vau Dejës:

Qëndrim politik i PD Vau Dejës

Kryesia e Partisë Demokratike Vau Dejës ka marrë qëndrimin e saj politik kundër Reformës Administrativo-Territoriale të propozuar nga Partia Socialiste.

Për rrjedhojë, çdo anëtar i këshillit bashkiak të Partisë Demokratike që ka votuar së bashku me këshilltarët e Partisë Socialiste në mbështetje të kësaj reforme, ka vepruar mbi përgjegjësi personale dhe individuale. Kjo votë nuk përfaqëson vendimin, qëndrimin apo linjën politike të Partisë Demokratike Vau Dejës.

Prandaj, vota pro e individëve në këshillat bashkiakë nuk mund të interpretohet si vendim politik i Partisë Demokratike Vau Dejës, por si një qëndrim personal i këtyre individëve, për të cilin ata mbajnë përgjegjësi.

Qëndrimi politik i degës së Partisë Demokratike Vau Dejës është ai i përcaktuar nga strukturat drejtuese të saj dhe nuk ndryshon nga votimet individuale të këshilltarëve.

lajme të ngjashme