26 Tetor, 2026
“Flamuri serb në Prizren” / Deputeti i PD Spahia: Pse nuk reagon qeveria shqiptare për deklaratat provokuese të Daçiç
Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, Bardh Spahia, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj deklaratave të ministrit të brendshëm serb Ivica Daçiç se një ditë do të valëvitet flamuri serb në Prizren. Spahia i cilëson këto…


Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, Bardh Spahia, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj deklaratave të ministrit të brendshëm serb Ivica Daçiç se një ditë do të valëvitet flamuri serb në Prizren.
Spahia i cilëson këto deklarata si provokim të hapur dhe fyerje për shqiptarët, ndërsa kritikon edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke e konsideruar heshtjen e saj të pafalshme.
Deputeti i PD-së kërkon gjithashtu reagim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar ndaj retorikës që, sipas tij, nxit urrejtje dhe cenon marrëdhëniet në rajon.
Statusi i plotë i Bardh Spahisë:
Deklaratat e turpshme të Ivica Daçiç për valëvitjen e flamurit serb në Prizren janë një provokim i hapur dhe një fyerje e rëndë për çdo shqiptar.
Kjo gjuhë radikale tregon qartë se mendësia e tyre ka mbetur peng e së shkuarës. Shqiptarët dhe bota e qytetëruar nuk e harrojnë kurrë spastrimin etnik, gjakun e derdhur dhe masakrat e Serbisë në Kosovë!
Përballë këtij provokimi, heshtja e qeverisë shqiptare është thellësisht e pafalshme. A mos vallë një dënim i ashpër dhe dinjitoz i kësaj retorike lufte do të nxirrte zbuluar Tiranën zyrtare dhe do të zemëronte ‘vëllain’ Vuçiç?!
Qeveria e Shqipërisë ka detyrim kushtetues dhe moral të mbrojë interesat e Kosovës, jo të heshtë përballë atyre që ende mohojnë krimet.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet dhe ta dënojë me forcë këtë retorikë të rrezikshme.
Politikanë të tillë, që ende ushqehen me urrejtje dhe ëndrra pushtimi, nuk kanë asnjë vend në Europë!
Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe tërësisht i pacenueshëm.












