26 Tetor, 2026
Një gjyshe nis shkollën e mesme në Shkodër / “Nuk është kurrë vonë”
Kjo është Merita Sheni, një gjyshe nga Shkodra e cila pak ditë më parë nisi shkollën e mesme. Edhe pse sot 55 vjeçe, Merita ka zgjedhur që të zhvillojë mësimin me kohë të pjesshme në orët e pasdites që ofron…


Kjo është Merita Sheni, një gjyshe nga Shkodra e cila pak ditë më parë nisi shkollën e mesme.
Edhe pse sot 55 vjeçe, Merita ka zgjedhur që të zhvillojë mësimin me kohë të pjesshme në orët e pasdites që ofron shkolla e mesme “Kolë Idromeno” në Shkodër.
Në pamundësi për ta kryer gjimnazin që filloi kur ishte në moshë të re për shkak të kushteve ekonomike dhe punësimit që iu desh për të ndihmuar familjen, 55 vjeçarja e ndërpreu duke u rikthyer pas 38 vitesh në bankat e shkollës.
Për vite me radhë punoi punë të rëndë në fasoneritë e qytetit ndërsa tashmë punësimi në një shoqatë e ka detyruar që të kryej të mesmen.
Bashkëshorti dhe tre fëmijët e saj të cilët i ka arsimuar duke mos bërë të njëjtin gabim, e kanë shtyrë Merita Shenin që të ndjek shkollën e mesme.
55 vjeçarja ka hedhur poshtë paragjykimet duke thënë se për të kryer një shkollë nuk është kurrë vonë ndërsa jep një mesazh për të gjithë ata që ngurojnë të arsimohen në moshë madhore.
Nga 370 nxënës që ka në total shkolla e mesme “Kolë Idromeno”, 289 prej tyre zhvillojnë mësimin me kohë të pjesshme të ndarë në tre vite ndërsa 81 të tjerë janë të rinj që ndjekin procesin mësimor normal me kohë të plotë.
Kjo shkollë në Shkodër këtë vit është rikonstruktuar plotësisht duke ofruar mjedise të reja dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e mësimit.












