Migjeni i Astrit Fanit përtej patetizmit në 115 vjetorin e lindjes / Mesazhet e forta nga proza migjeniane që janë aktuale edhe sot

Në 115-vjetorin e lindjes së Migjenit, Shkodra e riktheu shkrimtarin e madh në skenë përmes një këndvështrimi ndryshe, intim dhe personal. Larg interpretimit tradicional, proza e tij u soll në një performancë artistike nga Astrit Fani në bibliotekën e qytetit…

Në 115-vjetorin e lindjes së Migjenit, Shkodra e riktheu shkrimtarin e madh në skenë përmes një këndvështrimi ndryshe, intim dhe personal.

Larg interpretimit tradicional, proza e tij u soll në një performancë artistike nga Astrit Fani në bibliotekën e qytetit “Marin Barleti”, duke zbuluar mendimet, emocionet dhe përballjen e autorit me realitetin e kohës.

Një udhëtim në botën migjeniane, ku problemet e shoqërisë së para afro një shekulli gjejnë ende jehonë në Shqipërinë e sotme.

Për aktorin Astrit Fani, kjo performancë ishte një përpjekje për ta sjellë Migjenin në qetësinë dhe vetminë e tij, pa patetizëm.

Përmes fragmenteve nga proza e shkrimtarit, ai e vendosi autorin përballë realitetit, sikur ta shihte shoqërinë përmes dritares së dhomës së vet.

Një realitet që, sipas Fanit, pavarësisht kalimit të afro një shekulli, vijon të mbart të njëjtat problematika ekonomike, sociale dhe politike.

Drejtorja e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, Ledia Dushi, shpjegon se kjo mbrëmje ishte kulmi i një muaji aktivitetesh kushtuar Migjenit, ku përmes ekspozitave, botimeve dhe takimeve me nxënësit u risoll në vëmendje vepra e tij.

Por risia e kësaj performance qëndronte te zgjedhja e prozës në vend të poezisë dhe te përpjekja për të zbuluar një dimension më personal të autorit.

Një Migjen që nuk shfaqet vetëm përmes revoltës dhe zërit të fuqishëm, por edhe përmes vetmisë, mendimeve dhe emocioneve që mund të kenë shoqëruar krijimtarinë e tij.

Përtej përkujtimit të një figure të rëndësishme të letërsisë shqipe, kjo performancë solli edhe një reflektim mbi të tashmen.

Pyetjet që Migjeni ngrinte për njeriun, shoqërinë, varfërinë, padrejtësinë dhe besimin te e ardhmja mbeten ende të pranishme.

Pikërisht kjo e bën veprën e tij të kapërcejë kohën sepse edhe sot, fjalët e Migjenit vazhdojnë të trazojnë ndërgjegjen dhe të na përballin me realitetin që kemi përpara.


Pjesë e kësaj performance ishin edhe dy instrumentistët shkodran Jetmir Mesi dhe Ermir Lishi të cilët përcollën emocione përmes efekteve muzikore.

lajme të ngjashme