14 Nëntor, 2026
Rama mbron Ballukun në Asamblenë e PS / “Nuk u bëmë pengesë për drejtësinë, pa gjyq s’ka burg”
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, ndërsa ka rikthyer në vëmendje edhe qëndrimet e tij për paraburgimin e ish-kryebashkiakut…


Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, ndërsa ka rikthyer në vëmendje edhe qëndrimet e tij për paraburgimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Rama hodhi poshtë pretendimet se ka mbrojtur Ballukun, duke theksuar se as ai dhe as Partia Socialiste nuk bëjnë avokatinë e askujt që ka probleme me drejtësinë. Sipas tij, raporti me drejtësinë duhet të mbetet një raport mes pushteteve të ndara dhe çështjet personale të secilit duhet të ndiqen përmes avokatëve të tyre.
“U ngrit një furtunë sikur unë mbrojta Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Por cila është e vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë është dhe mbetet raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal të vetin! Me avokatët e vet, unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt! Gjeni një fjalë, timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot, për asnjërin dhe për asnjërën”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal më pas te çështja e Erion Veliajt, duke përsëritur qëndrimin e tij se paraburgimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Tiranës është absurd dhe përbën një çështje të demokracisë. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të shprehet për themelin e çështjes dhe as për përgjegjësinë e tij ligjore.












