25 Korrik, 2026
Nga rrahja e adoleshentëve te shoferi që shtypi 30 dele në Malësinë e Madhe
Një konflikt mes adoleshentësh në Malësinë e Madhe ka përfunduar me dhunë fizike dhe dëmtime. Tre të mitur, dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, janë proceduar penalisht pasi dyshohet se janë konfrontuar dhe kanë goditur dy 16-vjeçarë të tjerë nga Tirana,…

Një konflikt mes adoleshentësh në Malësinë e Madhe ka përfunduar me dhunë fizike dhe dëmtime.
Tre të mitur, dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, janë proceduar penalisht pasi dyshohet se janë konfrontuar dhe kanë goditur dy 16-vjeçarë të tjerë nga Tirana, duke u shkaktuar këtyre të fundit plagë në fytyrë.
Të miturit e dëmtuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Vukpalaj të Malësisë së Madhe, ku një 28-vjeçar, D. K., pasi humbi kontrollin e automjetit të tij, ka shtypur 30 bagëti të imta.
Pas aksidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.
Për këtë rast, ka nisur procedimi penal për veprat “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Gjithashtu policia e Shkodrës njoftoi për disa masa të tjera të marra nga specialistët e qarkullimit rrugor. Janë arrestuar dy drejtues mjetesh të kapur në gjendje të dehur:
– I. B., 26 vjeç, nga Rrësheni, i cili humbi kontrollin e automjetit dhe goditi tabelën e rrethrrotullimit në lagjen “Partizani”;
– S. G., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, e ndaluar gjatë kontrollit rutinë.
Ka nisur procedimi penal për dy drejtues të tjerë automjetesh të përfshirë në aksidente.
– R. B., 25 vjeç, nga Goraj, është përplasur me një motomjet që drejtohej pa patentë nga C. T., 67 vjeç, i cili mbeti lehtë i dëmtuar.
– M. T., 22 vjeç, nga Shtoj i Vjetër, është përplasur me automjetin që drejtohej nga H. Sh., 33 vjeçe, duke shkaktuar lëndime të lehta tek pasagjerja F. R., 34 vjeçe.






