27 Tetor, 2026
Vau Dejës / PD bashkon votat me PS duke votuar pro reformës së re territoriale / Bushati merr statusin “qytet”
Partia Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës ka bashkuar votat me Partinë Socialiste, duke mbështetur në parim projektvendimin për reformën e re territoriale. Ndryshe nga qëndrimi i PD-së në nivel qendror, e cila është kundër reformës, katër këshilltarë…


Partia Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës ka bashkuar votat me Partinë Socialiste, duke mbështetur në parim projektvendimin për reformën e re territoriale.
Ndryshe nga qëndrimi i PD-së në nivel qendror, e cila është kundër reformës, katër këshilltarë të opozitës në këtë këshill votuan pro, duke bërë që projektvendimi të miratohej me 18 vota ku 4 janë nga opozita.
Kryetari i Këshillit Bashkiak Vau i Dejës, Ervis Shima, falënderoi të gjithë anëtarët që mbështetën projektvendimin, duke veçuar edhe votën e katër përfaqësuesve të opozitës.
Sipas tij, ky qëndrim tregon përgjegjshmëri dhe vënien e interesit të komunitetit mbi ndasitë politike.
Projektvendimi parashikon vetëm një ndryshim për zonën e Vaut të Dejës, Bushati propozohet të marrë statusin e qytetit.
Pjesa tjetër e ndarjes territoriale mbetet e pandryshuar, pasi nuk parashikohen ndryshime në kufijtë e njësive vendore.
Sipas argumenteve të paraqitura në projektvendim, Bushati përmbush kriteret për marrjen e këtij statusi, bazuar në treguesit demografikë, institucionalë dhe ekonomikë. Zona numëron rreth 24 mijë banorë, 14 institucione arsimore dhe 12 qendra shëndetësore si dhe një sërë institucionesh dhe shërbimesh të tjera.
Në mbështetje të propozimit përmenden edhe prania e landfillit të Bushatit dhe 352 njësive të biznesit, të cilat përbëjnë një tjetër tregues të zhvillimit dhe aktivitetit ekonomik të zonës.
Miratimi në Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës sjell kështu një qëndrim të ndryshëm nga ai i opozitës në nivel qendror, me katër këshilltarë demokratë që votuan pro projektvendimit për reformën territoriale.












