25 Korrik, 2026
8500 pije freskuese Bravo kontrabandë nga Mali i Zi
Policia e Shkodrës ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave duke arrestuar shtetasin Fatbardh Lishi pasi u kap në flagrancë në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan”, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Mali i Zi ndërsa janë proceduar penalisht…

Policia e Shkodrës ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave duke arrestuar shtetasin Fatbardh Lishi pasi u kap në flagrancë në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan”, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Mali i Zi ndërsa janë proceduar penalisht edhe dy doganierë për “shpërdorim detyre”.
Policia bën me dije se shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Shkodër kanë ndaluar në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan” automjetin me drejtues shtetasin Fatbardh Lishi, i cili me automjetin e tij po transportonte mallra kontrabandë, në sasi 352 kuti ( 8448 kanaçe) pije freskuese.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
U arrestua në flagrancë shtetasi Fatbardh Lishi., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit me inicialet I. K., 32 vjeç, dhe G. K., 53 vjeç, të dy me detyrë kontrollorë në doganën e Muriqanit.
Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.





