Nga frika te mirënjohja / 11 euro që bënë Shkodrën të paharrueshme për turistët turq

Një turist nga Turqia, i cili kaloi disa ditë në Shkodër, është përballur me një histori të pazakontë dhe mjaft domethënëse.Turisti e ka ndarë këtë ngjarje me “Shkodra Live”, pasi i ka lënë një përshtypje tejet të mirë dhe e…

Një turist nga Turqia, i cili kaloi disa ditë në Shkodër, është përballur me një histori të pazakontë dhe mjaft domethënëse.
Turisti e ka ndarë këtë ngjarje me “Shkodra Live”, pasi i ka lënë një përshtypje tejet të mirë dhe e ka surprizuar pozitivisht. Ai tregon se një mbrëmje ndodhej bashkë me një shok të tij në një restorant në Shirokë, teksa po hanin darkë.


Të dy turistët kishin marrë me vete një shumë jo të madhe parash, por sipas tyre të mjaftueshme për të paguar këtë darkë në Shirokë. Pasi përfunduan darkën, fatura rezultoi rreth 10 mijë lekë të vjetër më shumë sesa paratë që kishin me vete dhe siç duket nuk i kanë bërë mirë llogaritë.


“Në ato momente po bisedonim me njëri-tjetrin të frikësuar se çfarë mund të ndodhte. Kishim dëgjuar shumë gjëra jo të mira për shqiptarët, madje edhe për disa ngjarje në Shkodër. U frikësuam dhe menduam deri aty se pronarët e restorantit mund të na godisnin”, tregon turisti.


Teksa po zhvillonin këtë bisedë mes tyre, një banor vendas, i cili ndodhej në një tavolinë tjetër së bashku me një person tjetër, i dëgjoi. Në ato momente ai ndërhyri, thirri kamarierin dhe e pyeti se sa para mungonin. Shuma ishte rreth 11 euro ose 10 mijë lekë të vjetër.


Banori vendas mori përsipër të paguante shumën që mungonte për faturën e turistëve. Edhe pse ata ndodheshin në vështirësi, pasi nuk ishin të sigurt nëse karta bankare turke që kishin me vete funksiononte, qytetari shkodran shtoi pa hezitim shumën prej 11 eurosh.


“U ndjemë shumë mirë dhe u befasuam nga ky gjest. Tashmë kemi ndryshuar totalisht mendimin për Shqipërinë dhe për Shkodrën në veçanti. Duam ta falënderojmë nga zemra qytetarin shkodran që na ndihmoi në një moment të vështirë”, shprehen turistët.


Ata theksojnë se këtë histori do t’ua tregojnë të gjithë miqve të tyre në Turqi dhe do t’i ftojnë të vizitojnë Shqipërinë pa asnjë frikë, e sidomos Shkodrën, të cilën e cilësojnë si një qytet shumë mikpritës.


“Jemi shumë të lumtur që e ndajmë këtë histori me ju. Nuk do ta harrojmë kurrë dhe do të jemi gjithmonë mirënjohës për Shkodrën dhe Shqipërinë. Faleminderit dhe shumë respekt për Shkodrën dhe Shqipërinë!”, përfundojnë ata.

lajme të ngjashme