24 Korrik, 2026
Përgjimi i 21 janarit / Gazetari Artan Hoxha: Nuk e jap burimin në SPAK / “Mund të dënohem me 1 vit burg”
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje mbi marrjen e tij në pyetje nga prokurorët e posaçëm, duke treguar se është pyetur në limite sa i përket burimit dhe personit që ka kryer audio-përgjimin. Hoxha ka shpjeguar procedurat që parashikohen nga…

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje mbi marrjen e tij në pyetje nga prokurorët e posaçëm, duke treguar se është pyetur në limite sa i përket burimit dhe personit që ka kryer audio-përgjimin.
Hoxha ka shpjeguar procedurat që parashikohen nga ligji në këtë rast, duke treguar se SPAK ka të drejtën të kërkojë nga gjykata një seancë të posaçme dhe të fshehtë, ku gazetari “detyrohet” të japë emrin e burimit.
Ai shtoi se nëse nuk e zbulon këtë informacion, rrezikon një dënim deri në një vit burg, një pasojë që e ka marrë parasysh tashmë si të mundshme.
“Kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësishme, legjislacioni shqiptar ka parashikuar një mënyrë tjetër të marrjes së burimit. Sepse unë jam gazetar dhe kemi një Kod Etike, për mbrojtjen e burimit. Prokuroria ka kërkuar burimin, por ai që ka bërë regjistrimin I ka bërë një shërbim shumë të madh vendit sepse ka rrëzuar vendimet e gjykatave të tjera, ka thënë ja që vrasjet janë bërë me urdhër,” tha Hoxha.
Ai theksoi se, duke qenë se kjo çështje shërben si zanafilla e rihapjes së hetimeve, kërkohet burimi dhe personat e përfshirë në vrasje lidhen me elitën politike të vendit.
“Prokurorët kanë këmbëngulur në maksimum sa i lejon ligji por unë emrin nuk e jap sepse nuk kam besim. Fati i keq ma la mua në kurriz ta mbaj këtë barrë. Nëse unë nuk e them burimin, i jep mundësi SPAK që t’i drejtohet gjykatës,” shtoi ai.
Hoxha përshkroi gjithashtu se në seancën sekrete, mes tij, një gjyqtari dhe një prokurori, ai u detyrua të përballet me kërkesën për të treguar burimin. “Prokuroria thotë që ngjarja është shumë e rëndë, unë jam para një situate që është vërtetë jo e lehtë. Unë i kam marrë parasysh pasojat që kur kam denoncuar,” tha ai.
Gazetari theksoi rëndësinë e ruajtjes së burimit dhe sfidën që përbën legjislacioni.
“Çështja vërtetë është e një rëndësie të veçantë, por është shumë e rëndësishme ruajtja e burimit. Betejë për herë të parë me legjislacionin në këtë aspekt. Nëse unë nuk e tregon burimin, legjislacioni parashikon deri në 1 vit burg.”
Ai përfundoi duke theksuar rrezikun që mund të krijohet për gazetarët.
“Ndaj them që në vend të autorëve në burg të përfundojë gazetari. Duke parë ç’ka ndodhur në të kaluarën, është shumë e rrezikshme të japësh burimin. Tani jemi para faktit a mund ta marrë gjykata vendimin për dënimin tim? Po, por unë nuk e jap burimin, mund të krijojë precedent. Nëse ne detyrohemi të japim burimet na cënohet besueshmëria.”





