Vllaznia mëson kundërshtarin në Europë /  Përballë Malishevës në raundin e parë të Conference League

Shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës për raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League ka vendosur përballë njëra-tjetrës një duel shqiptar, Vllazninë dhe Malishevën e Kosovës. Kuqeblutë do ta nisin aventurën europiane në “Loro Boriçi”, ku më…

Shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës për raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League ka vendosur përballë njëra-tjetrës një duel shqiptar, Vllazninë dhe Malishevën e Kosovës. Kuqeblutë do ta nisin aventurën europiane në “Loro Boriçi”, ku më 9 korrik do të zhvillohet ndeshja e parë, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 16 korrik në Kosovë me ekipin shqiptar të Malishevës.

Për Vllazninë, ky short konsiderohet ndër më të pranueshmit e mundshëm në këtë fazë të kompeticionit. Megjithatë, Malisheva nuk është një emër për t’u nënvlerësuar.

Skuadra kosovare ka treguar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit dhe vjen me ambicie të mëdha për të lënë gjurmë në arenën europiane. Përballja pritet të jetë e fortë, pasi të dy klubet njohin mirë futbollin e rajonit dhe diferencat në letër duken minimale.

Në Shkodër, optimizmi është i madh. Vllaznia ka një traditë shumë më të pasur europiane dhe mbi të gjitha do të ketë në krah një nga tifozëritë më të zjarrta në Shqipëri. Ndeshja e parë në “Loro Boriçi” mund të rezultojë vendimtare për fatin e kualifikimit, pasi kuqeblutë do të synojnë të krijojnë avantazh para udhëtimit në Kosovë.

Objektivi i Vllaznisë mbetet i qartë, kalimi i raundit të parë dhe vazhdimi i rrugëtimit europian.

Një kualifikim do t’i jepte një shans shumë të mirë Vllaznisë. Skuadra shkodrane pret që të kalojë me sukses këtë pengesë të parë.

Ndërkohë, edhe dy skuadrat e tjera shqiptare që marrin pjesë në Conference League kanë mësuar kundërshtarët e tyre.

Elbasani do të përballet me BATE Borisov, një emër i njohur i futbollit bjellorus me eksperiencë të gjatë në kupat e Europës.

Ndërsa Dinamo City do të ketë një sfidë shumë të vështirë përballë Astanës së Kazakistanit, një klub që ka qenë disa herë pjesë e fazave të grupeve në kompeticionet europiane.

Tashmë numërimi mbrapsht ka nisur. Më 9 korrik, sytë e tifozëve shkodranë do të jenë të përqendruar në “Loro Boriçi”, aty ku Vllaznia do të tentojë të hedhë hapin e parë drejt një vere europiane sa më të gjatë dhe sa më të suksesshme.

lajme të ngjashme