27 Tetor, 2026
Sigurim kushtesh për vrasjen e ish deputetit Arben Ndoka / GJKKO dënon shkodranin Jozi Kraja dhe 6 të pandehur të tjerë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, GJKKO, ka dhënë këtë të hënë vendimin për shtatë të pandehurit e njërit prej fraksioneve të dosjes “Revanashi”, duke dhënë dënime që variojnë nga 4 vite e 8 muaj deri në 10 vite…


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, GJKKO, ka dhënë këtë të hënë vendimin për shtatë të pandehurit e njërit prej fraksioneve të dosjes “Revanashi”, duke dhënë dënime që variojnë nga 4 vite e 8 muaj deri në 10 vite e 8 muaj burgim.
Vendimin më të rëndë e ka marrë Durim Bami, i dënuar me 10 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Oltion Zefi është dënuar me 10 vite dhe Edson Jozwik me 8 vite burgim.
Sipas vendimit të GJKKO-së, shkodrani Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli janë dënuar secili me 4 vite e 8 muaj burgim, Henerigert Mitri me 5 vite e 4 muaj, ndërsa Altin Morina me 6 vite e 8 muaj burgim.
Gjykimi është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Bami, i fajësuar për përgatitjen e kushteve për vrasjen e Arben Ndokës
Në lidhje me Durim Bamin, gjykata e ka shpallur fajtor për “sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit A.N., referencë kjo për ish-deputetin socialist Arben Ndoka.
Për këtë vepër, Bami është dënuar me 8 vite burgim.
Ai është shpallur gjithashtu fajtor për krijimin, drejtimin apo organizimin e një grupi të strukturuar kriminal në lidhje me veprat penale kundër jetës, si dhe për kultivim të bimëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Për këto vepra, në bashkim të dënimeve, GJKKO e kishte caktuar dënimin në 16 vite burgim, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është ulur në 10 vite e 8 muaj burgim.
Bami është deklaruar i pafajshëm për akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e dy shtetasve të tjerë, T.Xh. dhe E.M.
Kraja dhe Avdyli, dënim për sigurimin e kushteve për vrasjen e Bamit
Shkodrani Jozi Kraja, vëllai i Gjin Boriçit i vrarë në 2020 në Vau Dejës, dhe Aldo Avdyli janë shpallur fajtorë për “sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të Durim dhe Valter Bamit, vepër e kryer sipas gjykatës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Secili prej tyre është dënuar fillimisht me 6 vite burgim për këtë akuzë dhe me 2 vite të tjera për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në bashkim të dënimeve, dënimi ishte 7 vite burgim për secilin, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 4 vite e 8 muaj burgim.
Zefi dhe Jozwik, trafik narkotikësh
Oltion Zefi është shpallur fajtor për trafikim të narkotikëve në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për organizim të një grupi të tillë.
Për dy veprat, dënimi i bashkuar ishte 15 vite burgim. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, Zefi është dënuar përfundimisht me 10 vite burgim.
Ndërkohë, Edson Jozwik, i njohur edhe me alias Edson Pjetri dhe Edmir Pjetri, është shpallur fajtor për trafikim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe për pjesëmarrje në këtë grup.
Dënimi i tij përfundimtar është 8 vite burgim.
Mitri, 5 vite e 4 muaj burgim
Henerigert Mitri është shpallur fajtor për kultivim të bimëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
Dënimi i bashkuar për veprat ishte 8 vite burgim, ndërsa pas gjykimit të shkurtuar ai është dënuar me 5 vite e 4 muaj burgim.
Morina, 6 vite e 8 muaj burgim dhe konfiskim i armës
Altin Morina është shpallur fajtor për kultivim të bimëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup dhe mbajtje pa leje të armëve.
Gjykata e kishte caktuar në 10 vite burgim dënimin e bashkuar për këto vepra, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar është 6 vite e 8 muaj burgim.
Ndërkohë, gjykata ka pushuar çështjen ndaj Morinës për akuzën e mbajtjes pa leje të municioneve luftarake.
GJKKO ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të armës së zjarrit, krëhërit dhe 7 fishekëve luftarakë të sekuestruar atij.
Të gjitha dënimet me burgim, sipas vendimit, do të kryhen në burg të sigurisë së lartë, ndërsa për disa prej të pandehurve vuajtja e dënimit nis nga dita e arrestimit.












