20 Tetor, 2026
Enea Karakaçi: Gati dy projekte të reja infrastrukturore për Qarkun e Shkodrës
Dy projekte të reja infrastrukturore, me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës veriore të Qarkut të Shkodrës, pritet të nisin së shpejti. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar rreth 85 milionë lekë fonde për studimin dhe projektimin…


Dy projekte të reja infrastrukturore, me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës veriore të Qarkut të Shkodrës, pritet të nisin së shpejti. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar rreth 85 milionë lekë fonde për studimin dhe projektimin e akseve Koplik – Razëm – Bogë – Theth dhe Kryqëzim Koman – Pukë – Fushë-Arrëz.
Ndërhyrja në këto akse pritet të ketë rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit, bujqësisë, blegtorisë, agroturizmit dhe aktiviteteve të shërbimit, duke krijuar mundësi të reja për punësim dhe rritje të të ardhurave. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të ndikonte gjithashtu në rritjen e aksesit në arsim, shëndetësi dhe shërbime administrative, duke lehtësuar dhe modernizuar lidhjen e komuniteteve rurale me qendrat urbane.
Pas mbylljes së kontratës koncesionare për ndërtimin e autostradës Milot – Balldren, këto dy investime në infrastrukturën rrugore janë një tjetër zhvillim i rëndësishëm për Qarkun e Shkodrës, veçanërisht pas marrjes së drejtimit politik të qarkut nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Ndërkohë nga burime të besueshme mësohet se është miratuar edhe projekti i rrugës Iballë – Fierzë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Në pamje të parë, nisja e këtyre investimeve mund të konsiderohet një zhvillim normal në kuadër të planeve infrastrukturore.
Megjithatë, duke pasur parasysh konkurrencën me kërkesat e shumta të zonave me potencial të lartë turistik në vend, si dhe mungesën e investimeve të ngjashme në veri për një periudhë të gjatë, është e vështirë të mos shihet ndikimi i efektit Karakaçi në këto investime. Për me tepër që ARRSH është agjenci në varësi direkte të Ministrit të Infrastrukturës.
Në politikë, lobimi dhe përcjellja e zërit të komuniteteve janë ndër hallkat që lidhin një kërkesë apo një nevojë konkrete me një vendimmarrje. Kjo, në fund të fundit, ndikon në përcaktimin e prioriteteve dhe në mënyrën se ku orientohen investimet publike dhe si kanalizohen fondet.
Në këtë kuptim, dy akset rrugore të parashikuara për studim dhe projektim mund të shihen si një sinjal i rëndësishëm për zonat veriore të Qarkut të Shkodrës, të cilat prej vitesh kanë kërkuar ndërhyrje më të mëdha në infrastrukturë.












