Protestë e banorëve në Vukël të Kelmendit / “Mbroni Cemin: Ndalni hidrocentralin”

Banorët e Vuklit në Malësinë e Madhe kanë protestuar kundër një hidrocentrali që është në ndërtim e sipër atje. Banorët kanë bërë edhe një peticion dërguar kryeministrit Rama dhe institucioneve të tjera. Prej brezash, lumi i Cemit ka rrjedhur i…

Banorët e Vuklit në Malësinë e Madhe kanë protestuar kundër një hidrocentrali që është në ndërtim e sipër atje.

Banorët kanë bërë edhe një peticion dërguar kryeministrit Rama dhe institucioneve të tjera.

Prej brezash, lumi i Cemit ka rrjedhur i kthjellët dhe i egër mes maleve të Kelmendit, duke i dhënë formë natyrës, kulturës dhe jetesës së komuniteteve vendase. Por sot, pjesa e fundit e paprekur e këtij lumi është në rrezik.

Përgjatë degës së Vukëlit të lumit Cem është planifikuar ndërtimi i tre hidrocentraleve, Kozhnje 1, Kozhnje 2 dhe Tamara, dhe nje tjeter ne fashtin Vukel, pa konsultime publike transparente dhe pa një vlerësim të mirëfilltë të ndikimit të tyre kumulativ në mjedis.

Këto ndërtime do ta devijonin ujin nga shtrati natyror i lumit dhe do të shkatërronin habitate ujore jetike. Punimet kanë filluar tashmë në lagjen Muriq, pa u informuar dhe pa u dëgjuar banorët.

Ky është një moment vendimtar për mbarë pellgun e lumit Cem pasi dega e Vuklit është pjesa e fundit e paprekur me ujë të kulluar dhe një strehë jetike ku ende mbijeton trofta e mermertë, specie e rrezikuar. Në degën e Selcës të Cemit tashmë janë ngritur disa diga.

Lumi i Cemit ndodhet brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Lejimi këtu i hidrocentraleve të vogla shkatërruese cenon integritetin e zonave të mbrojtura të Shqipërisë.

Banorëve të Vukëlit u është mohuar transparenca e plotë, pjesëmarrja reale dhe e drejta për të vendosur për të ardhmen e ujit dhe të tokës së tyre.

Në mbarë pellgun ujëmbledhës të Cemit, nëntë hidrocentrale të vogla kërcënojnë rrjetin lumor. Nëse edhe Vukëli pëson të njëjtin fat, Cemi humbet strehën e tij të fundit të paprekur, duke vënë në rrezik bujqësinë dhe blegtorinë vendase, si dhe të ardhmen e ekoturizmit të qëndrueshëm në Kelmend.

Në peticion kërkohet të ndalohet menjëherë ndërtimi dhe të anulohen projektet e hidrocentraleve Kozhnje 1, Kozhnje 2 dhe Tamara pranë Vuklit.

Të garantohet transparencë e plotë dhe përfshirje reale të publikut, për banorët vendas dhe ekspertët e pavarur, në të gjitha vendimet e ardhshme mjedisore.

Të zbatohet mbrojtje e rreptë ligjore për Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla pranë kufijve të tij.

Të mbrohet përgjithmonë pellgu i lumit Cem.
Lumi i Cemit nuk është thjesht një burim uji; ai është zemra e identitetit dhe e trashëgimisë së Kelmendit.

lajme të ngjashme