27 Tetor, 2026
Emri / Arrestohet i shumëkërkuari i Shkodrës / Në listën e 31 persona të rrezikshëm / I dënuar me 25 vite burg për vrasje
Valentin Ftoni, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe pjesë e listës së 31 personave më të kërkuar në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lokalizimi dhe kapja e tij u realizuan…


Valentin Ftoni, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe pjesë e listës së 31 personave më të kërkuar në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lokalizimi dhe kapja e tij u realizuan pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet amerikane.
Në operacionin për gjetjen e Ftonit kanë bashkëpunuar marshallët amerikanë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe institucione të tjera ligjzbatuese.
Ai dyshohet se i është shmangur drejtësisë për dekada, duke përdorur identitete të ndryshme për të fshehur gjurmët e tij.
Ftoni dyshohet për përfshirje në disa vrasje, ndërsa në Shqipëri është dënuar me 25 vite burg.
Arrestimi i tij në SHBA përbën një zhvillim të rëndësishëm për autoritetet shqiptare, të cilat e kishin mbajtur në listën e personave më të kërkuar.
Emri i Valentin Ftonit në një vrasje të ndodhur në Shkodër
Valentin Ftoni është është i dënuar për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Shkodër në vitin 2001, kur u vra Behar Becaj, në një konflikt të lidhur me gjakmarrjen mes familjeve.
Sipas një raportimi të publikuar në atë kohë nga gazeta “Shekulli”, vrasja ndodhi rreth orës 16:00, në lagjen Guerile të qytetit të Shkodrës.
Për këtë ngjarje, autoritetet dyshonin se Paulin Ejll Kola, atëherë 27 vjeç, kishte bashkëpunuar me Valentin Ftonin, bashkëshortin e motrës së tij.
Sipas kronikës së kohës, ngjarja kishte si sfond një konflikt të mëparshëm mes familjeve.
Babai i Paulin Kolës ishte vrarë nga Valmir Hoxha, i afërm i familjes Becaj. Në të njëjtën ngjarje, Hoxha kishte plagosur edhe dy persona të tjerë, mes tyre Paulin Kolën.
Pas kësaj vrasjeje, hetuesit dyshonin se Kola kishte marrë hak duke vrarë Behar Becajn.
Çështja ishte pezulluar fillimisht për mungesë provash, por më vonë hetimet u rihapën nga policia e Shkodrës.
Sipas raportimit të publikuar në vitin 2001, policia kishte siguruar të dhëna që çuan në arrestimin e Paulin Kolës.
Në atë kohë, Valmir Hoxha përshkruhej si një person i njohur për disa vrasje në Shkodër dhe Malësi të Madhe, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Një dosje që rikthehet në vëmendje pas arrestimit në SHBA
Arrestimi i Valentin Ftonit rikthen në vëmendje historinë e një personi që prej vitesh kërkohej nga autoritetet shqiptare.
Megjithatë, përtej kapjes së tij në Shtetet e Bashkuara, mbetet për t’u ndjekur procedura ligjore për kthimin e tij në Shqipëri dhe ekzekutimin e vendimit të dënimit.
Detajet e plota mbi rrethanat e arrestimit, identitetet e përdorura gjatë qëndrimit në SHBA dhe procedurat e ardhshme ligjore pritet të bëhen të ditura nga autoritetet përkatëse.












