27 Tetor, 2026
Punonjësi i OSHEE shpëtoi dy fëmijë në Velipojë por humbi jetën / Një vit nga tragjedia e Arjan Kraja
Në tetorin e vitit 2025, pas tre muajsh në gjendje kome, Arjan Kraja u nda nga jeta, duke lënë pas një histori që preku thellë Shkodrën dhe mbarë opinionin publik shqiptar. Gjatë sezonit turistik të verës së vitit 2025, Kraja…


Në tetorin e vitit 2025, pas tre muajsh në gjendje kome, Arjan Kraja u nda nga jeta, duke lënë pas një histori që preku thellë Shkodrën dhe mbarë opinionin publik shqiptar.
Gjatë sezonit turistik të verës së vitit 2025, Kraja pa dy fëmijë të mitur që rrezikonin të mbyteshin në plazhin e Velipojës. Pa hezituar, ai u fut në ujë për t’u ardhur në ndihmë dhe arriti t’i shpëtonte.
Por ajo që përfundoi me shpëtimin e dy jetëve u kthye në një tragjedi për të dhe familjen e tij.
Pasi shpëtoi dy të vegjlit, gjendja e tij shëndetësore u rëndua. Kraja pësoi një ishemi dhe qëndroi për rreth tre muaj në koma, pa arritur të rikuperohej.
Arjan Kraja punonte prej vitesh pranë OSHEE, ku ushtronte detyrën e shefit të grupit. Pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta, kolegët e kujtuan si një profesionist të përkushtuar, të ndershëm dhe njeri të mirë, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit.
Sot, një vit pas asaj ngjarjeje tragjike, historia e Arjan Krajës mbetet e lidhur me një akt të rrallë guximi, vendimin për të mos qëndruar indiferent përballë rrezikut që u kanosej dy fëmijëve.
Ai nuk arriti të kthehej pranë familjes së tij, por veprimi i tij mbetet dëshmi se humanizmi shpesh shfaqet në momentet më të vështira, kur dikush zgjedh të rrezikojë për të shpëtuar një jetë tjetër.
Arjan Kraja u nda nga jeta një vit më parë, por historia e tij vazhdon të kujtohet si një nga ngjarjet më prekëse të verës së kaluar në Velipojë.
Në këtë njëvjetor familja, miq, të afërm por edhe koleg dhe qytetarë të Shkodrës e përkujtojnë me shumë mall dhe respekt të ndjerin që humbi jetën për të shpëtuar dy fëmijë që po mbyteshin në Velipojë.












