Historia e 49 vjeçares shkodrane / Nis shkollën e mesme pas 30 viteve / Nëna e tre fëmijëve: Më paragjykuan por nuk e kam problem

Kjo është Manjola Tuzi, një grua nga Shkodra e cila pak ditë më parë nisi shkollën e mesme. Edhe pse sot 49 vjeçe, Manjola ka zgjedhur që të zhvillojë mësimin me kohë të pjesshme në orët e pasdites që ofron…

Kjo është Manjola Tuzi, një grua nga Shkodra e cila pak ditë më parë nisi shkollën e mesme. Edhe pse sot 49 vjeçe, Manjola ka zgjedhur që të zhvillojë mësimin me kohë të pjesshme në orët e pasdites që ofron shkolla e mesme “Kolë Idromeno” në Shkodër.

49 vjeçarja rikthehet në bankat e shkollës pas 30 vitesh pasi arsimimi i saj në fillim vitet ’90 në shkollën profesionale teknologjike në degën e tekstilit nuk njihet në ditët e sotme për shkak se me ndryshimin e sistemit ajo shkollë u kthye në kurs profesional.

Manjola, nënë e 3 fëmijëve, ndjen kënaqësi që tashmë gjeti mundësinë për të nisur arsimin e mesëm.

49 vjeçarja ka hedhur poshtë paragjykimet me të cilat është përballur jo pak vetëm se rifilloi shkollën në moshë madhore.

Të afërmit e kanë shtyrë Manjolën që të vijojë arsimin e mesëm ndërsa 49 vjeçarja jep edhe një mesazh për të gjithë ata që janë në dyshim që ta vijojnë shkollën.

Nga 370 nxënës që ka në total shkolla e mesme “Kolë Idromeno”, 289 prej tyre zhvillojnë mësimin me kohë të pjesshme të ndarë në tre vite ndërsa 81 të tjerë janë të rinj që ndjekin procesin mësimor normal me kohë të plotë.

Kjo shkollë në Shkodër këtë vit është rikonstruktuar plotësisht duke ofruar mjedise të reja dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e mësimit.

lajme të ngjashme