“Sulme terroriste në Shqipëri” / Email me kërcënime terroriste ndaj institucioneve shqiptare

Një email me përmbajtje kërcënuese dhe mesazhe ekstremiste ka mbërritur këtë të hënë, më 19 tetor, në adresat elektronike të një sërë institucionesh shtetërore në Shqipëri, përfshirë Kryeministrinë, ministritë, institucionet e drejtësisë në të gjithë vendin dhe Bankën e Shqipërisë.…

Një email me përmbajtje kërcënuese dhe mesazhe ekstremiste ka mbërritur këtë të hënë, më 19 tetor, në adresat elektronike të një sërë institucionesh shtetërore në Shqipëri, përfshirë Kryeministrinë, ministritë, institucionet e drejtësisë në të gjithë vendin dhe Bankën e Shqipërisë.

Në mesazhin e dërguar pretendohet se brenda një ndërtese është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO), ndërsa paralajmërohen një seri sulmesh terroriste në territorin e vendit.

“Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit”, thuhet në emailin kërcënues”.

Më tej, autori i mesazhit pretendon se sulmet e paralajmëruara janë vetëm fillimi, duke artikuluar edhe kërcënime me karakter ideologjik dhe fetar.

“Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh, i cili mbyllet me shprehjen “Allahu Ekber”.

Pas mbërritjes së emailit, strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Antiterrorit kanë nisur verifikimet dhe kontrollet në institucionet e prekura, për të vlerësuar situatën dhe për të verifikuar nëse ka rrezik real për sigurinë e tyre.

Deri në këto momente, përmbajtja e emailit përbën një kërcënim dhe pretendimi për vendosjen e eksplozivit nuk duhet konsideruar i konfirmuar. Priten të dhëna të mëtejshme nga kontrollet dhe hetimet e autoriteteve.

Rastet e përsëritura, institucioneve u janë dërguar edhe më parë email-e kërcënuese

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji në Shqipëri. Vetëm gjatë muajve të fundit, disa institucione publike kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime për vendosjen e bombave dhe kryerjen e sulmeve.

Më 9 tetor 2026, institucione të ndryshme shtetërore morën email-e kërcënuese, ku dërguesi pretendonte se kishte vendosur një mjet shpërthyes në një ndërtesë dhe paralajmëronte sulme.

Mes institucioneve të përmendura në raportime ishte edhe Shkolla e Magjistraturës. Policia bëri të ditur se nga verifikimet e kryera deri në atë moment nuk ishte konstatuar vendosje eksplozivi.

Një tjetër rast u regjistrua më 27 gusht, kur email-e kërcënuese mbërritën në institucione në disa qytete të vendit, përfshirë gjykata, bashki, prokurori dhe institucione të tjera publike.

Në mesazhin e asaj dite pretendohej se ishte vendosur një bombë dhe se ajo do të shpërthente pas dy orësh. Në verifikime u përfshinë strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Antiterrorit, ndërsa kontrollet e raportuara nuk evidentuan lëndë shpërthyese.

Përsëritja e këtyre kërcënimeve ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë, të cilat po verifikojnë mesazhet dhe po punojnë për identifikimin e burimeve të tyre. Për rastin e sotëm priten rezultatet e kontrolleve dhe informacionet zyrtare nga autoritetet.

lajme të ngjashme