Diaspora kalon nga Shkodra për protestën: 1 milion të larguar në 13 vite / “Nuk ndalemi, protestë ditë e natë, Rama jep dorëheqjen”

Diaspora shqiptare ka mbërritur në Shkodër për të marrë pjesë në protestën që do të jetë në Tiranë. Emigrantët kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar kundër qeverisë së kryeministrit Edi…

Diaspora shqiptare ka mbërritur në Shkodër për të marrë pjesë në protestën që do të jetë në Tiranë. Emigrantët kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ata thonë se pjesëmarrjen në tubim e shohin si një mundësi për të bërë të dëgjohet edhe zëri i shqiptarëve që jetojnë në emigracion, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe një ndryshim të kursit politik në vend.

“Jemi kthyer për festë dhe protestë. Pasi të largohet Edi Rama, festa do të jetë mbarëkombëtare”, shprehen ata, duke e lidhur angazhimin e tyre me nevojën për t’i dhënë fund asaj që e cilësojnë si një tranzicion të tejzgjatur.

Gjatë prononcimeve, emigrantët kanë drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisjes, duke e akuzuar për korrupsion dhe duke kërkuar dorëheqjen e saj. Një tjetër shqetësim që ata ngrenë është largimi masiv i shqiptarëve ndër vite, për të cilin thonë se ka zbrazur vendin nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.

Sipas tyre, gjatë 13 viteve të fundit rreth 1 milion shqiptarë janë larguar nga atdheu, një shifër që e përdorin për të argumentuar pakënaqësinë ndaj situatës ekonomike dhe politike.

Emigrantët u bëjnë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që të marrin pjesë në protestën në kryeqytet, duke e konsideruar atë si një moment të rëndësishëm për të kërkuar ndryshimin politik në Shqipëri.

lajme të ngjashme