Dosja “Metamorfoza” / GJKKO jep vendimet e dënimit / Ja sa u dënuan Behar Brajoviç, Asmer Bilali, Edmond Preka dhe ish zyrtarët Oltion Bistri, Xhevahir Lita

Gjykata e Posaçme GJKKO ka dhënë sot vendimet për pjesën më të madhe të të pandehurve në dosjen e njohur si “Metamorfoza”, ndërsa ka vendosur të veçojë procedimin për ish efektivin e policisë Ardit Hasanbegaj dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka. Për…

Gjykata e Posaçme GJKKO ka dhënë sot vendimet për pjesën më të madhe të të pandehurve në dosjen e njohur si “Metamorfoza”, ndërsa ka vendosur të veçojë procedimin për ish efektivin e policisë Ardit Hasanbegaj dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Për këta dy të fundit, seanca e radhës do të zhvillohet më 2 dhjetor, ku pritet të shqyrtohen prova të tjera të dosjes voluminoze që lidhet me aktivitetin e grupeve kriminale dhe bashkëpunëtorët në institucionet shtetërore.

Shtetasi Behar Brajoviç është dënuar me 13 vite burg, por duke përfituar uljen nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj në regjim të sigurisë së lartë.

Brajoviç u shpall fajtor për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve të mbetura në tentativë ndaj Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit, ngjarje që, sipas hetimeve, lidhen me konfliktet mes grupeve kriminale në Shkodër dhe Tiranë.

Edmond Preka, shoferi i Pëllumb Gjokës, është dënuar me 10 vite burg, të cilat pas uljes përfundimtare reduktohen në 7 vite. Ai akuzohet për pjesëmarrje në strukturën kriminale dhe angazhim në veprimtari të paligjshme të dokumentuara në materialet e siguruara nga hetimet e SPAK.

Ish boksieri Asmer Bilali është dënuar përfundimisht me 5 vite e 8 muaj burgim për rolin e tij në këtë çështje, duke u konsideruar një nga personat që ka ndihmuar në logjistikën e grupit.

Oltion Bistri, ish drejtues i operacionales në polici, është shpallur i pafajshëm për akuzën e korrupsionit, por është dënuar për veprën penale të “zbulimit të akteve sekrete”, me 3 vite burg, të cilat pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar reduktohen në 2 vite. GJKKO urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.

Roli i Bistrit ka qenë objekt debatesh gjatë hetimit, pasi ai dyshohej se kishte transmetuar informacione të brendshme që favorizonin lëvizjet e grupit.

Ish prokurori i Shkodrës Xhevahir Lita është dënuar me 5 vite burg, të cilat reduktohen në 3 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar. Edhe për Litën gjykata ka urdhëruar lirimin e tij nëse nuk është nën hetim apo i arrestuar për çështje të tjera.

Dosja “Metamorfoza” është një nga hetimet më të zgjeruara të vitit të fundit, ku SPAK ka përdorur materiale të siguruara nga bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe përgjime të koduara, duke dokumentuar komunikime të rrjeteve kriminale, por edhe implikime të zyrtarëve publikë në favorizimin e tyre.

lajme të ngjashme