27 Tetor, 2026
Agjencia për Mbrojtjen Civile: Shkodra nën kërcënimin e përmbytjeve, reshje të dendura shiu
Shkodra pritet të përfshihet nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive gjatë ditës së nesërme, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për vërshime uji në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash. Paralajmërimi është bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila,…


Shkodra pritet të përfshihet nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive gjatë ditës së nesërme, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për vërshime uji në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash.
Paralajmërimi është bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila, bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, e rendit qarkun e Shkodrës ndër zonat më të rrezikuara nga moti i paqëndrueshëm.
Situata pritet të jetë e ngjashme edhe në qarkun e Lezhës, ndërsa reshje intensive parashikohen edhe në Durrës. Në zona të tjera të vendit reshjet pritet të jenë me intensitet më të ulët.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë lëvizjeve pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave që mund të preken nga përmbytjet.
Autoritetet këshillojnë gjithashtu që të shmanget kalimi në rrugë të përmbytura dhe që qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimin e situatës.
Njoftimi i plotë i AKMC:
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, dhe ditës së nesërme, 9 tetor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Lezhë, si dhe reshje intensive në qarkun Durrës.
Në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.
Reshjet, të cilat në shumicën e qarqeve pritet të jenë në formë shtrëngatash, mund të shkaktojnë vërshime të ujit në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të rrezikuara, si dhe të mos kalojnë në rrugë të përmbytura.
Lutemi të ndiqni me vëmendje njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile.
Në rast emergjence, telefononi numrat e emergjencës.












