20 Tetor, 2026
Emrat / Arrestohet i dënuari me 6 vite e 8 muaj burg për drogë / Arrestohen edhe dy ndihmësitt e tij
Roland Gjoni, 26 vjeç, i dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, është arrestuar nga policia e Shkodrës teksa tentonte të largohej me automjet. Në pranga kanë përfunduar edhe Pashk Prendi, 30…


Roland Gjoni, 26 vjeç, i dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, është arrestuar nga policia e Shkodrës teksa tentonte të largohej me automjet.
Në pranga kanë përfunduar edhe Pashk Prendi, 30 vjeç, dhe Ornel Sadria, 19 vjeç, të dyshuar se po e ndihmonin të shmangte kapjen nga policia.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Travel”, të organizuar nga sektori për hetimin e narkotikëve në Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e policisë së Pukës.
Gjoni, banues në fshatin Bleran të Shkodrës, ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, me vendimin e datës 14 tetor 2026, e kishte dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
Ai është gjetur në një automjet ku udhëtonin edhe Pashk Prendi, i cili drejtonte mjetin, dhe Ornel Sadria, pasagjer. Të dy këta shtetas, banues në Fushë-Arrëz, u arrestuan pasi dyshohet se po e ndihmonin Gjonin t’i shmangej policisë.
26-vjeçari është dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, ndaj Prendit dhe Sadrisë rëndon dyshimi për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Operacioni u finalizua në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.












