27 Tetor, 2026
Emrat / Trafikimi i emigrantëve drejt Shkodrës / SPAK arreston grupin e transportuesve
Një grup shtetasish që organizonte kundrejt pagesës transportimin e emigrantëve të paligjshëm nga jugu dhe juglindja e Shqipërisë drejt Shkodrës, me synim kalimin e tyre në Malin e Zi, është goditur nga SPAK. Në kuadër të hetimeve janë ekzekutuar masat…


Një grup shtetasish që organizonte kundrejt pagesës transportimin e emigrantëve të paligjshëm nga jugu dhe juglindja e Shqipërisë drejt Shkodrës, me synim kalimin e tyre në Malin e Zi, është goditur nga SPAK.
Në kuadër të hetimeve janë ekzekutuar masat e sigurisë për 7 persona, mes tyre edhe dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër duke bërë kështu prangosjen e tyre.
Sipas hetimeve, emigrantët, kryesisht me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme, hynin në Shqipëri nga Greqia, jashtë pikave zyrtare të kalimit kufitar, në zonat e Korçës dhe Gjirokastrës.
Më pas, ata transportoheshin nga persona të përfshirë në këtë rrjet drejt veriut të vendit, ku destinacioni kryesor ishte zona e Hanit të Hotit dhe Malësisë së Madhe, për të kaluar më tej drejt Malit të Zi.
Nga të dhënat e bëra publike, në pranga kanë rënë Jorgji Kuvarati, Erius Hajdari, Arzen Bregasi dhe Lamela Berlat si dhe tre shtetas të tjerë.
Për gjashtë persona është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për një shtetase tjetër “arrest në shtëpi”.
Mes të dyshuarve janë edhe dy punonjës policie, të cilët dyshohet se kanë shfrytëzuar funksionin e tyre për të lehtësuar kalimin e emigrantëve drejt kufirit me Malin e Zi.
Shtatë episode të dokumentuara
Hetimet, të nisura në vitin 2023, kanë evidentuar disa raste të transportimit të emigrantëve gjatë muajve maj, qershor dhe korrik 2024.
Sipas dosjes, grupi ka organizuar lëvizjen e 79 emigrantëve të paligjshëm nga zona të ndryshme të vendit drejt pikës kufitare të Hanit të Hotit në një hark kohor prej 2 muajsh e gjysëm.
Më 1 maj 2024, tre shtetas të huaj u transportuan nga zona e Mëzezit në Tiranë drejt Hanit të Hotit.
SPAK bën të ditur se 13 dhe 14 maj, numri i emigrantëve të transportuar arriti në 21, të cilët u morën në afërsi të Gjirokastrës dhe u dërguan drejt Malësisë së Madhe.
Të tjera episode janë regjistruar gjatë muajit qershor 2024, ku 11 emigrantë u transportuan nga zona e Korçës drejt Hanit të Hotit, ndërsa më 28 qershor dyshohet se u organizua transportimi i 17 personave të tjerë nga fshati Dardhë.
Në korrik, hetuesit kanë dokumentuar edhe transportimin e 12 emigrantëve nga Jorgucati i Gjirokastrës drejt zonës së Bajzës dhe Vukpalajt, pranë kufirit me Malin e Zi.
Pikërisht në këtë episod dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë aktive dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër, duke lehtësuar kalimin e emigrantëve drejt shtetit fqinj.
Një tjetër rast, më 23 dhe 24 korrik 2024, lidhet me transportimin e 11 shtetasve të huaj nga Bilishti drejt Tiranës dhe më pas në Hanin e Hotit.
Sipas hetimeve, pasi kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Malit të Zi, emigrantët u morën peng nga pesë persona me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme.
Pas bashkëpunimit me autoritetet malazeze, pengjet u liruan dhe tre prej pengmarrësve u arrestuan.
Ndërkohë, më 7 korrik 2024, ishte tentuar transportimi i katër emigrantëve nga qarku i Korçës drejt Hanit të Hotit, por shoferi që i transportonte u arrestua në flagrancë nga policia.
Kontrolle në 11 ambiente
Në kuadër të operacionit janë kryer edhe 11 kontrolle në banesa dhe ndaj personave të dyshuar. Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprat penale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa për disa prej tyre rëndon edhe dyshimi për kryerjen e veprimtarisë duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë aktivitet kriminal.












