28 Korrik, 2026
“Mos e lini besimin të shuhet” / Mesazhi i Arqipeshkëvit të Shkodrës
Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol u shënua solemniteti i fillimit të Vitit Jubilar Françeskan, në kuadër të njëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut. Mesha e Shenjtë u kremtua në praninë e besimtarëve dhe klerit nga arqipeshkëvi i Shkodrës…

Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol u shënua solemniteti i fillimit të Vitit Jubilar Françeskan, në kuadër të njëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut.




Mesha e Shenjtë u kremtua në praninë e besimtarëve dhe klerit nga arqipeshkëvi i Shkodrës Giovanni Peragine, duke sjellë një thirrje të fortë për kthim shpirtëror, përvujtëri dhe shërbim, si thelbi i trashëgimisë françeskane që ka lënë gjurmë të thella në jetën fetare, kulturore dhe shoqërore të Shkodrës.
Statusi i plotë i Kishës Katolike në Shkodër:
Fillimi i Vitit Jubilar Françeskan – Njëqindvjetori i vdekjes së Shën Françeskut
Në Kishën e Shen Françeskut, Gjuhadol, u kremtua Mesha e Shenjtë e fillimit të Vitit Jubilar Françeskan, e kryesuar nga Imzot Giovanni Peragine.
Në një homeli të thellë dhe thirrëse, Imzot Giovanni na ftoi ta jetojmë këtë Vit Jubilar jo si një përvjetor të jashtëm, por si kohë hiri, kthimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore, duke “rindezur dhuratën e Hyjit” që është në secilin prej nesh. Gesti simbolik i ndezjes së llambës, që do të qëndrojë e ndezur gjatë gjithë vitit, u bë shenjë e një drite që nuk duhet të shuhet dhe e një zjarri që jemi të thirrur ta ruajmë e ta rindezim vazhdimisht.
Duke u ndalur te Ungjilli dhe te dëshmia e Shën Françeskut, u theksua se madhështia e Kishës kalon përmes shërbimit, përvujtërisë dhe dhurimit të jetës, dhe se kujtesa e së kaluarës duhet të shndërrohet në profeci për të sotmen.
Një falënderim i veçantë iu drejtua Familjes Françeskane për praninë e tyre historike dhe dëshminë e gjallë në jetën fetare, kulturore dhe shoqërore të Shkodrës, si edhe për shembullin e fretërve martirë që e jetuan Ungjillin deri në fund.
I lutemi Zotit që ky Vit Jubilar të jetë për të gjithë ne një fillim i ri, që drita e Ungjillit të mos zbehet kurrë dhe që, me Shën Françeskun, të jemi vegla paqeje, bashkimi dhe shprese.






